Shqipëria e Futsallit ka luajtur ditën e sotme ndeshjen e dytë kualifikuese në fazën para-eliminatore të Botërorit të Futsallit 2024. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Erind Resuli u mundën minimalisht 3-2 nga Austria në ndeshjen e zhvilluar në Suedi.
Një paraqitje mjaft e mirë e përfaqësueses shqiptare ndaj një rivali të fortë, por vetëm në sekondat e fundit u ndëshkuan pas një kundërsulmi teksa po dominonin vazhdimisht lojën, duke krijuar raste për gol.
Kombëtarja shqiptare e futsallit e nisi lojën me këtë formacion: Da Silva, Shkodra, Azem Brahimi, Selmanaj, Halimi. Në stolin e rezervave ishin ulur Rrapi, Shiba, Shqipron Brahimi, Alimi, Hasaj, Rexhepaj, Kaca, Mejzini dhe Kryeziu.
Shqipëria e nis mirë sfidën dhe kalon në avantazh në minutën e 6-të me anë të Shqipron Brahimit. Austria nuk pajtohet me këtë rezultat dhe kërkon vazhdimisht golin e barazimit duke e gjetur në minutën e 14-të me anë të Meitz. Me të nisur pjesa e dytë kuqezinjtë kalojnë sërish në avantazh me golin e Azem Brahimit, teksa austriakët nuk dorëzohen dhe barazojnë me Milenkovic në minutën e 33-të.
Në minutat e fundit ekipi shqiptar këmbëngul për të gjetur golin e fitores dhe i afrohet shumë herë portës, madje duke goditur edhe shtyllë në minutën e 39-të me Azem Brahimit. Kur kishin mbetur edhe 14 sekonda nga përfundimi i sfidës Austria arrin të realizoi me Flögel pas një kundërsulmi, duke fiksuar kështu fitoren me shifrat 3-2.
Shqipëria është pjesë e Grupit E së bashku me vendasit, Andorrën dhe Austrinë. Shqipëria ka 3 pikë pas fitores në sfidën e parë me Andorrën, ndërsa ndeshja e tretë dhe e fundit e kuqezinjve që do të përmbyllë këtë fazë do të jetë ajo ndaj vendit organizator, Suedisë, më 12 prill.
Para-eliminatoret e Botërorit të Futsallit 2024, Grupi E
Shqipëri – Austri 2-3
Golat: Shq. Brahimi 6’, A. Brahimi 23’ / Meitz 14, Milenkovic 33’, Flögel 40.