Kombëtarja shqiptare U-16 është rikthyer në fushën e stërvitjes duke u përgatitur për sfidën e dytë të turneut UEFA Development U-16 ndaj Perusë. Pikërisht kjo e fundit ka fituar ndeshjen e parë ndaj Luksemburgut me rezultatin 3:2 në një sfidë plot me emocione dhe gola.
Kësisoj ekipi peruan është rivali kryesor i Shqipërisë U-16, që debutoi me këmbën e mbarë në këtë turne ndërkombëtar duke fituar me rezultatin 2-1 ndaj Irlandës së Veriut.
Nën drejtimin e trajnerit Ervin Bulku, kuqezinjtë kanë zhvilluar një seancë të lehtë stërvitore këtë të diel, duke shmangur ngarkesat fizike në prag të ndeshjes së dytë që zhvillohet nesër, datë 11 prill ndaj Perusë në orën 11:00.
Po nesër në ora 14:00 do të luhet edhe ndeshje tjetër e turneut Irlandë e Veriut – Luksemburg. Atmosfera është pozitive pas suksesit të parë dhe nuk ka asnjë problem fizik për lojtarët shqiptarë. Të gjithë janë të bindur se kjo skuadër mund të marrë tre fitore dhe mund t’ia dalë mbanë ndaj çdo rivali.
Lojtarët e grumbulluar kanë shfaqur impenjim maksimal në stërvitje gjatë grumbullimit dhe kjo u pa qartë në ndeshjen e parë, ku ekipi Kombëtar U-16 luftoi në çdo metër nga fillimi e deri në fund për të marrë një sukses të vyer. Nuk ka vend për eufori për ekipin që po bën përgatitjet e fundit për sfidën.
Ndeshjet e fundit të turneut UEFA Development U-16 luhen në datë 14 prill, me Shqipëri – Luksemburg në orën 11:00 dhe Peru – Irlandë e Veriut në orën 13:00. Bëhet fjalë për një kompeticion mjaft i rëndësishëm për zhvillimin e moshave, e që është zhvilluar në të kaluarën disa herë në Shqipëri. Të gjitha sfidat luhen në Qendrën Sportive të Ekipeve Kombëtare.