shqiperia i hap deren serbise por cfare fshihet pas marreveshjes per konsullatat publicisti ngre alarmin 6a6d1853b29d4

Shqipëria i hap ‘derën’ Serbisë, por çfarë fshihet pas marrëveshjes për konsullatat? Publicisti ngre alarmin

July 31, 2026
min lexim

Marrëveshja në parim mes Shqipërisë dhe Serbisë për hapjen e konsullatave në Shkodër dhe Bujanoc ka nxitur debate mbi ndikimin politik dhe diplomatik të këtij vendimi, veçanërisht në raport me pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe marrëdhëniet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajmi për dakordësinë mes dy vendeve është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, i cili deklaroi se marrëveshja është arritur gjatë takimit me homologun shqiptar, Ferit Hoxha. Hapja e një konsullate shqiptare në Bujanoc është parë nga disa si një mundësi për një lidhje më të drejtpërdrejtë institucionale me shqiptarët e Luginës së Preshevës, ndërsa konsullata serbe në Shkodër ka ngritur pyetje mbi arsyetimin dhe qëllimin e saj politik.

Për këtë zhvillim, për “Bota sot” foli publicisti Lis Bukuroca, i cili vlerëson se hapja e konsullatës shqiptare në Bujanoc përbën një hap pozitiv, por me ndikim të kufizuar në aspektin politik dhe juridik për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Sipas tij, kjo përfaqësi mund të ketë rol në ofrimin e mbështetjes institucionale dhe në dokumentimin e problemeve me të cilat përballen shqiptarët në këtë zonë, por nuk mund të ndryshojë realitetin e tyre pa një ndryshim të qasjes së shtetit serb.

“Hapjen e konsullatës shqiptare në Bujanoc e shoh si një hap pozitiv, por me ndikim praktik shumë të kufizuar. Ajo nuk do ta ndryshojë pozitën juridike dhe politike të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, sepse kjo varet nga politikat e shtetit serb.

Megjithatë, konsullata mund të shërbejë si një urë e rëndësishme komunikimi, duke siguruar informata të drejtpërdrejta për diskriminimin sistematik që u bëhet shqiptarëve dhe duke ofruar mbështetje konsullore e institucionale për ta”, deklaroi Bukuroca.

Image

Publicisti Lis Bukuroca

Ndërkohë, për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër, publicisti shprehet më kritik, duke vlerësuar se ky vendim nuk ka një bazë të fortë praktike dhe më shumë ngjan me një veprim politik sesa me një nevojë reale konsullore.

“Hapja e konsullatës serbe në Shkodër duket e pajustifikuar. Nuk ekziston një komunitet i konsiderueshëm serb në Shkodër që do ta arsyetonte një përfaqësi të tillë konsullore. Për këtë arsye, kjo duket më tepër si një gjest politik balancues sesa si një nevojë konsullore”, tha ai.

Megjithatë, Bukuroca thekson se bashkëpunimi ndërmjet shteteve nuk duhet të refuzohet, por ai duhet të shoqërohet me një qasje të barabartë dhe me respektim të realitetit politik në rajon.

“Në parim, bashkëpunimi ndërmjet shteteve është i mirëpritur dhe nuk duhet kundërshtuar. Por normalizimi i marrëdhënieve nuk mund të shkëputet nga realiteti politik. Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, të mbajë një retorikë kërcënuese dhe të ushtrojë presion ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Në këto rrethana, është e natyrshme të shtrohet pyetja nëse duhej të kishte më shumë reciprocitet dhe më shumë ndjeshmëri politike para se të ndërmerreshin hapa të tillë”, u shpreh ai.

Duke komentuar qasjen e kryeministrit shqiptar Edi Rama ndaj Serbisë, Bukuroca vlerëson se ajo është pjesë e një politike të orientuar drejt ruajtjes së marrëdhënieve konstruktive dhe bashkëpunimit rajonal, por sipas tij, kjo qasje nuk duhet të shkojë në drejtim të tolerimit të veprimeve që dëmtojnë interesat shqiptare.

“Qasja e kryeministrit Edi Rama është në vazhdën e politikës së tij për të ruajtur marrëdhënie sa më konstruktive me Serbinë dhe për të dëshmuar një frymë bashkëpunimi rajonal, edhe në funksion të procesit të integrimit europian. Kjo është parë edhe në reagimet e tij dhe të institucioneve shqiptare ndaj deklaratave të fundit të zyrtarëve serbë, të cilat kanë qenë dukshëm më të përmbajtura sesa pritej”, deklaroi ai.

Ai shtoi se edhe reagimi i Bashkimit Europian ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq ka qenë i butë dhe se mungesa e një qëndrimi më të qartë ndaj retorikave destabilizuese krijon shqetësime në rajon.

Sa i përket Kosovës, Bukuroca thekson se institucionet dhe partitë politike duhet të reagojnë me maturi, por njëkohësisht të ruajnë qartësinë në mbrojtjen e interesave të vendit.

Sipas tij, bashkëpunimi rajonal është i nevojshëm, por ai duhet të bazohet në reciprocitet, respekt të ndërsjellë dhe në zgjidhjen e çështjeve të hapura mes Kosovës dhe Serbisë.

“Sa i përket Kosovës, institucionet dhe partitë politike duhet të reagojnë me maturi, por edhe me qartësi. Bashkëpunimi rajonal nuk duhet refuzuar, por ai duhet të ndërtohet mbi parimin e reciprocitetit, respektit të ndërsjellë dhe mbrojtjes së interesave kombëtare.

Çdo hap që krijon përshtypjen e një normaliteti të plotë me Serbinë, ndërkohë që mbeten të pazgjidhura çështje themelore mes Kosovës dhe Serbisë, rrezikon të dërgojë sinjale të gabuara si në rajon, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare”, u shpreh publicisti.

Në fund, Bukuroca vlerëson se politika e tolerimit të njëanshëm ndaj Serbisë mund të prodhojë pasoja negative dhe se marrëdhëniet mes vendeve duhet të ndërtohen mbi standarde të njëjta për të gjithë.

“Duke e trajtuar Serbinë me mirëkuptim të njëanshëm, ajo vetëm sa trimërohet. Kjo është arsyeja pse nuk arreston autorët e sulmit terrorist në Banjskë, por i trajton si heronj, dhe pse vazhdon politikën e provokimeve ndaj Kosovës.

Në politikë vlen parimi i reciprocitetit. Edi Rama shpreson ta bindë Bashkimin Europian me përkëdhelje ndaj Serbisë. Integrimi arrihet me shtet funksional ligjor, institucione të forta dhe standarde demokratike. Jo me zvarritje!”, përmbylli Lis Bukuroca për “Bota sot”.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

kryeministri serb gjuro macut per vizite ne oher u takua me mickoskin 6a6d01cf9b1e1
Lajmi i mëparshëm

Kryeministri serb Gjuro Macut për vizitë në Ohër, u takua me Mickoskin

rrezohet nje aeroplan amerikan f 35 ne kaliforni 6a6d19342580e
Lajmi i radhës

Rrëzohet një aeroplan amerikan F-35 në Kaliforni

Të fundit nga

ShkoLartë