shqiperia digjet rama shellehet ne dhermi balliu 4 mln eurot e kanye west duhet te shkonin per zjarrfikesit 6a7dcbd10d9ce

“Shqipëria digjet, Rama shëllehet në Dhërmi” – Balliu: 4 mln eurot e Kanye West duhet të shkonin për zjarrfikësit!

August 13, 2026
min lexim

Deputeti i PD-së, Klevis Balliu ka reaguar për situatën e zjarreve, duke akuzuar qeverinë për mungesë kapacitetesh dhe keqpërdorim të fondeve publike.

Në një deklaratë për mediat, ai tha se zjarret kanë vënë në rrezik banorët, pronat dhe zjarrfikësit, të cilët, sipas tij, përballen me flakët pa pajisjet dhe mjetet e nevojshme.

Deputeti demokrat përmendi edhe shpenzimet e qeverisë me mbi 4 milionë euro për koncertin e Kanye West, që sipas tij do të mund të investoheshin në modernizimin e shërbimit zjarrfikës.

“Edi Rama ka gjetur miliona euro për koncerte, spektakle, kopshte dhe instalacione idiotëske, ndërkohë që zjarret i lufton me lopata dhe me zjarrfikëse të viteve ’70, që rrjedhin ujë pa arritur te zjarri. Rreth 4 milionë eurot për Kanye Ëest do të ishin shumë sot një investim jetik për zjarrfikësit, për pajisje moderne dhe për krijimin e kapaciteteve reale kundër zjarreve.”, u shpreh deputeti.

Ai ironizoi teksa tha se qeveria gjen makina për tu përballur me protestuesit, por jo për të shuar flakët me të cilat po përballet vendi prej ditësh.

“Edi Rama dhe Besfort Lamallari gjejnë makina me ujë kur duhet të përballen me protestuesit, por nuk gjejnë makina me ujë kur Shqipëria përfshihet nga flakët.”, shtoi ai.

Balliu ironizoi kryeministrin edhe për takimin me Alex Soros në Dhërmi, teksa ndodhet me pushime atje.

“Shqipëria po digjet, nga cepi në cep, ndërsa Edi Rama shëllehet në Dhërmi, ku ka marrë Alex Sorosin që ta ndihmojë të shuajë flakët që protesta qytetare i ka vënë qeverisë së tij.”, tha ai.

Në përfundim, Balliu tha se Partia Demokratike, nëse vjen në qeveri, do të hartojë një “Paketë të Plotë për Emergjencat”, ku përfshihet edhe një program antizjarr dhe rritje e buxhetit për shërbimet e emergjencave.

DEKLARATA E PLOTE:

Shqipëria po digjet, nga cepi në cep, ndërsa Edi Rama shëllehet në Dhërmi, ku ka marrë Alex Sorosin që ta ndihmojë të shuajë flakët që protesta qytetare i ka vënë qeverisë së tij.

Paaftësia për të mbrojtur qytetarët, pasuritë e tyre dhe territorin e vendit është shenja kryesore e kësaj qeverisjeje, dhe zjarret vetëm e kanë nxjerrë në pah këtë fakt në mënyrë dramatike.

Në rrezik nuk janë vetëm shtëpitë, pyjet, kullotat dhe lagjet e qyteteve, por edhe jeta e qytetarëve dhe e zjarrfikësve, të cilët përballen me flakët pa pajisjet e nevojshme.

Por kjo nuk duhet parë thjesht si paaftësi. Ky është një dështim kriminal në prioritetet e një qeverie që ka para për gjithçka, përveç sigurisë së shqiptarëve.

Edi Rama ka gjetur miliona euro për koncerte, spektakle, kopshte dhe instalacione idiotëske, ndërkohë që zjarret i lufton me lopata dhe me zjarrfikëse të viteve ’70, që rrjedhin ujë pa arritur te zjarri. Rreth 4 milionë eurot për Kanye Ëest do të ishin shumë sot një investim jetik për zjarrfikësit, për pajisje moderne dhe për krijimin e kapaciteteve reale kundër zjarreve.

Por ka edhe një ironi që tregon më mirë se çdo fjalë se ku i ka prioritetet kjo qeveri.

Edi Rama dhe Besfort Lamallari gjejnë makina me ujë kur duhet të përballen me protestuesit, por nuk gjejnë makina me ujë kur Shqipëria përfshihet nga flakët.

Kur sheh se si zbret në sheshe policia për të sulmuar qytetarët që protestojnë, e armatosur deri në dhëmbë, me makina të blinduara, ujëhedhëse dhe gazhedhëse, dhe kur sheh se si përballohen zjarret, e kupton se kjo qeveri e meriton epitetin diktaturë.

Ky është shteti i Edi Ramës: i pamëshirshëm me qytetarët, të cilët i lë në mëshirën e fatit kur bien zjarre apo ndodhin fatkeqësi të tjera. I gatshëm të përdorë çdo mjet për të shtypur protestën, por neglizhent për të siguruar mjetet bazë për të mbrojtur njerëzit dhe pronat.

Përgjegjësia nuk mund të fshihet pas deklaratave të ministrive apo propagandës televizive. Besfort Lamallari, si Ministër i Brendshëm, duhet të përgjigjet se si strukturat që varen prej tij nuk kanë kapacitetet e nevojshme për një situatë që përsëritet çdo vit.

Zjarrfikësit nuk mund të dërgohen në frontin e zjarrit sikur po shkojnë për të mbjellë pemë. Çdo zjarrfikës që futet në flakë pa pajisjet e duhura është dëshmi e dështimit të shtetit.

Qeveria e Edi Ramës nuk mund të kujtohet për zjarrfikësit vetëm kur kamerat janë ndezur. Nuk mjaftojnë fotot, deklaratat dhe propaganda. Duhen mjete, pajisje mbrojtëse, automjete, avionë, helikopterë, infrastrukturë dhe një sistem real sigurimi dhe reagimi ndaj emergjencave.

Edi Rama dhe Besfort Lamallari duhet të japin llogari për këtë dështim. Sepse kur një qeveri ka para për luksin dhe propagandën, por jo për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe të zjarrfikësve, problemi nuk është mungesa e parave. Problemi është se ku zgjedh t’i çojë paratë kjo qeveri.

Partia Demokratike angazhohet fuqimisht se, me ardhjen në qeveri, do të ketë si pjesë të planit qeverisës një Paketë të Plotë për Emergjencat, me një Program Antizjarr, të hartuar nga ekspertë vendas dhe të huaj, si dhe një buxhet të rritur dhe të përshtatshëm.

Ne do t’i japim fund asaj që në letër paraqitet si ‘Rilindje 2.0’, por në realitet është një fasadë prej varaku që bie sapo Shqipëria përballet me zjarr, përmbytje apo çdo krizë tjetër civile.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

sekuestrohen arme zjarri dhe municion ne manastirc te ferizajt 6a7dcb56e5a2a
Lajmi i mëparshëm

Sekuestrohen armë zjarri dhe municion në Manastirc të Ferizajt

pamje spektakolare nga stervitja amerikane raketat godasin nje anije 40000 toneshe dhe shkaktojne shperthime te fuqishme 6a7dcc346ba15
Lajmi i radhës

Pamje spektakolare nga stërvitja amerikane/ Raketat godasin një anije 40,000 tonëshe dhe shkaktojnë shpërthime të fuqishme

Të fundit nga

ShkoLartë