Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim deklaroi sot se “gjatë javës së fundit jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjidhjes së një kreu të ri të SPAK”.
Kim shkroi se kreu i ri i SPAK-ut do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pa frikë apo favore.
Sipas saj, procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes të kufizojnë ose manipulojnë hetimet.
“Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët e gjyqtarët duhet t’i trajtojnë të gjithë si të barabartë para ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura. Reforma në drejtësi nuk është vetëm një kusht për anëtarësimin në BE; është kërkesë e drejtë e popullit shqiptar. SHBA do të qëndrojë gjithmonë me popullin e Shqipërisë”, deklaroi diplomatja amerikane.
Ambasadorja nënvizoi se “ne do të vazhdojmë të mbështesim me vendosmëri zbatimin e reformës në drejtësi. Kjo nuk do të ndryshojë. Do të monitorojmë nga afër procesin e përzgjedhjes për SPAK për t’u siguruar që reforma në drejtësi të ecë përpara”.
Kreu i ri i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) do të zgjidhet më 16 dhjetor, ndërsa në garë janë tre prokurorët Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili.