Në Shqipëri momente të tjera tensioni u rregjistruan sot në parlament pasi deputetët e opozitës tentuan të pengonin hyrjen e përfaqësuesve të shumicës në sallën e seancave parlamentare
Deputetët e opozitës u shfaqën gati 90 minuta përpara nisjes së seancës, por ata hasën në kundërshtimin e punonjësve të sigurisë, të cilët nuk i lejuan futen brenda. Një ditë më parë, të paktën 24 deputetë u përjashtuan për një periudhë nga 20 deri 60 ditë, pas djegies, të hënën, të karrikeve të tyre para hyrjes qëndrore të godinës.
Situata u acarua, kur deputetë socialistë dhe ministra, u përpoqën të hyjnë në sallën e parlamentit. Ata e penguan me forcë nga përfaqësuesit e opozitës, të bërë gardh përpara dy hyrjeve të godinës. Një situatë e cila u shoqërua dhe me përballje fizike mes palëve, ndërsa nuk munguan dhe replikat e forta mes tyre.
Deputetët e shumicës arritën të hynin nga një portë shërbimi, ndërsa seanca zgjati vetëm 30 minuta.
Në sheshin qendror të godinës së parlamentit, deputetët e opozitës vendosën më pas, katër manekinë, të cilët kishin në fytyrë fotot e kryeministrit Edi Rama dhe ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, dhe vëllezërve të tyre, të akuzuar nga opozita për lidhje kriminale, duke u vënë dhe flakën.
Opozita ka deklaruar se do të vijojë me aksionin e saj. “Ne do të veprojmë rast pas rasti, si me këtë godinë, me atë të kryeminisrisë dhe çdo godinë tjetër ku është strehuar brenda saj krimi i organizuar dhe qëllohet ndaj atyre që luftojnë krimin e organizuar”, deklaroi zoti Bardhi, i cili akuzoi shumicën se i ka hequr të drejtën deputetëve të opozitës të hyjnë në sallën e parlamentit.
Në fakt punonjësit e gardës, i penguan në bllok deputetët e opozitës që të hynin, ndonëse vetëm ndaj një pjese të tyre ishte marrë masa e përjashtimit. “Këtu problemi është se ka rënë parlamenti. Kemi një rregjim ku deputetët e opozitës nuk lejohet të ushtrojnë funksikonin e tyre brenda sallës me forca sigurie. Nuk bën asgjë më shumë e asgjë më pak Putini, se sa kjo që bën Rama”, u shpreh zoti Bardhi.
Tensionet mes palëve u ngritën pasi javën e shkuar Gjykata e Apelit dënoi me 1 vit burgim deputetin demokrat Ervin Salianji, nën akuzën e “Kallzimit të rremë”, për rastin e publikimit të një video përgjimi, ku vëllai i ish ministrit Xhafaj përfshihej në një bisedë për trafikimin e një sasie marijuana. Sipas Prokurorisë, biseda e përgjuar rezulton të ketë qenë e montuar, dhe zoti Salianji akuzohet të ketë qenë nxitësi i këtij inskenimi.
Pas ngjarjeve të së hënës, ku deputetët e opozitës dogjën karriket e tyre, ambasada amerikane dhe Delegacioni i Bashkimit europian shprehën “shqetësim dhe keqardhje”, duke bërë thirrje që palët t’i rikthehen normalitetit dhe dialogut. Por opozita reagoi duke u shprehur se nuk kishte ndërmend të tërhqej nga aksioni i saj.
BURIMI: Bota Sot