Shqipëri: Shqetësim kryesor mungesa e fuqisë punëtore

July 24, 2023
min lexim

Ikjen e fuqisë punëtore të kualifikuar por edhe atë të pakualifikuar nga Shqipëria mund ta ndalojë vetëm një strategji më e mirë e qeverisë në bashkëpunim me biznesin, thotë Stephanie Sieg-Farka, presidente e DIHA-s.

DW: Pak kohë më parë, DIHA, Shoqata Gjermane e Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri bëri publike gjetjet e një anketimi me 44 biznese gjermane që veprojnë në vend. Ndër shqetësimet kryesore të tyre ishte mungesa e fuqisë punëtore. Nëse bëni një krahasim të punës suaj me shtatë vjet më parë kur erdhët në Shqipëri, çfarë sfidash do të përmendnit tani, krahasuar me atë periudhë?

Stephanie Sieg-Farka: Sinqerisht, do të thosha kosto në rritje në të gjitha fushat e të bërit biznes. Nga furnitorët e deri tek rrogat e stafit. Fillimisht pandemia, pastaj lufta në Ukrainë…Gjatë tri viteve të fundit kemi pasur rritje kostosh kudo, çka nuk e bën më të lehtë biznesin. Njerëz nuk janë të gatshëm për të paguar më shumë, dhe nga këndvështrimi i qiramarrësve do të thoja se ka vështirësi për rritjen e qirave në Tirana Business Park por gjithashtu edhe në MK Hotel, për të rritur çmimet e dhomave. Njerëzit presin nga ne që të mbajmë në të njëjtin nivel çmimet e deritanishme, ndërkohë që na janë rritur kostot. Kjo është një sfidë e madhe për ne, pra se si ta menaxhojmë këtë situatë. Një tjetër sfidë për ne, duke mos qenë në qendër të qytetit, mbetet ende një shqetësim transporti publik. Kushdo këtu ka dëgjuar se “po vjen treni” por ne do të kishim nevojë për një shërbim të mirëfilltë të transportit publik, veçanërisht edhe për vendndodhje strategjike siç është aeroporti, dhe që prej shtatë vitesh askush nuk ka bërë asgjë deri tani. Ne ende vijojmë ta organizojmë vetë transportin, me anë të autobusëve që i zotërojmë dhe menaxhojmë vetë. Kjo dhënie license për transportin publik nuk është e lehtë. Administrimi është bërë më i ndërlikuar këtu në Shqipëri dhe bashkëpunimi me agjencitë qeverisë, se nga sa bisedoj edhe me stafin, po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Shumë burokratik. Mendoj se Shqipëria ka një strategji shumë të mirë për çfarë do të ndodhë në të ardhmen, në atë që do të jetë rezultati përfundimtar, por deri atëherë ka shumë ndërlikime dhe kjo duhet zgjidhur në mënyrë që sistemi të funksionojë siç duhet. Por për momentin ne po hasim vështirësi. Dhe në majë ndodhet vështirësia që po e përjetojmë të gjithë: mungesa e fuqisë punëtore. Nuk është e lehtë të menaxhosh stafin. Ka mungesë punëtorësh këtu në Shqipëri.

DW: Kur ka nisur fenonemi i mungesës së fuqisë punëtore?

Stephanie Sieg-Farka: Kur erdha në Shqipëri shtatë vjet më parë, analizova tregun e punës për kureshtje dhe për informacion për veten time. Dhe prej 6 vitesh që jam edhe presidente eDIHA-s (Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri) fillova ta bëj me dije këtë çështje, me të cilën do të përballeshim në një të ardhme të afërt, pra të paturit probleme me gjetjen e stafit këtu. Sepse rreth 6-7 vite më parë shqiptarët nisën të largoheshin nga vendi për arsye nga më të ndryshmet. Unë u përpoqa që të ndërgjegjësoj qeverinë dhe këdo tjetër që të bënte diçka kundër këtyre ikjeve. Më në fund, këtë vit qeveria nisi disa projekte dhe nisma me qëllim shmangien e ikjes së mjekëve dhe unë mendoj që edhe me inxhinerët dhe IT-të ne duhet të bëjmë më shumë përpjekje. Them ne, sepse nuk është vetëm qeveria por edhe ne si biznese dhe si komunitet duhet të bëjmë diçka sëbashku dhe nuk është korrekte që t’i vëmë fajin vetëm qeverisë. Ka të bëjë me gjithë ne, dhe duhet ta përballojmë këtë problem së bashku. Gjithmonë besoj tek zgjidhjet që menaxhohen bashkë. Vetëm sëbashku mund t’ia dalim.

DW: Cili është problemi? Që nuk gjenden punëtorë, apo nuk gjenden punëtorë të kualifikuar?

Stephanie Sieg-Farka: Në ditët e sotme, të dyja arsyet së bashku. Gjetja e fuqisë punëtore së kualifikuar? Sinqerisht është thuajse zero. Kemi dy vite që kërkojmë inxhinierë mekanikë, me eksperiencë. Jo shumë të kualifikuar, për shembull me 10 vite eksperiencë. Por kërkojmë me 3-5 vite përvojë. E di që gjithsesi në Shqipëri inxhinierët mekanikë mungojnë, por edhe kur stafi im ka shkuar në universitet për të kërkuar ndonjë inxhinier mekanik aty, studentët u kanë thënë që po mësojnë gjermanishten, sepse duan të ikin në Gjermani. E di që vendi im, Gjermania, është një vend që importon shumë staf. Unë si gjermane e kam të qartë këtë. Por duke qenë një përfaqësuese e një kompanie gjermane në Shqipëri, duhet të bëj diçka kundër kësaj. Dhe çfarë bëjmë ne? Paguajmë rroga më të larta se tregu, bëjmë trajnime, ofrojmë një sistem bonusi, ofrojmë paketa shtesë veçmas pagës dhe sërish unë nuk jam në gjendje të bëj një inxhinier mekanik. Pra, flasim për staf të kualifikuar dhe unë jam shumë e lumtur që stafi ynë i kualifikuar është besnik dhe qëndron me ne, por sepse ne u ofrojmë të gjithë gjërat shtesë që përmenda më sipër dhe prandaj ata qëndrojnë më ne. Dhe pastaj flasim për staf të pakualifikuar, pra për pjesën e hotelerisë. Edhe aty, ne kemi vështirësi. Kamarierët po largohen nga vendi, ose tani në verë shkojnë drejt Jugut, kuzhina, por edhe mirëmbajtja, sanitaret. Kur erdha këtu ishte shumë e lehtë të gjeje sanitare. Sot, nuk gjejmë as zonja që kujdesen për pastrimin në hotel. Dhe e pyes veten pse? Sepse tashmë kemi edhe rroga më të mira se të tjerët. Mbase ato nuk kanë më dëshirë të punojnë si sanitare. Siç ndodhi dikur në Gjermani, kur gjermanet u ndjenë shumë krenare për të punuar në pastrim dhe thanë: “Këtë lloj pune nuk e bëjmë më”. Ose arsyeja tjetër është se nuk ka kush ta bëjë më këtë punë, se nuk ka fuqi punëtore të mbetur. Pra, këto janë vështirësitë me të cilat përballet një biznes në përditshmërinë e tij. Dhe unë tani do shkoj shumë larg duke thënë se në ditët e sotme nuk duhet të ekzistojë më asnjë përqindje papunësie. Ose ajo duhet të jetë shumë e ulët, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Gjermani e vende të tjera, sepse çdo kompani po kërkon staf. Nuk jemi vetëm ne. Kur bisedoj me biznese të tjera këtu në Shqipëri, në Gjermani apo kudo nëpër botë, të gjithë më thonë se po kërkojnë punonjës. Dhe jo vetëm staf të kualifikuar, por edhe punëtorë të pakualifikuar. Por të gjithë ne nuk gjejmë më. Nuk e kuptoj! S’mund ta kuptoj, sepse niveli i papunësisë është ende i lartë. Pse? Ne duhet të mendohemi për këtë fenomen. Prandaj thashe që ne, qeveria, bizneset, dhomat e tregtisë, duhet të ulemi bashkë dhe të gjejmë zgjidhje sëbashku.

DW: Dhe si mendoni ta mbushni këtë boshllëk të krijuar nga mungesa e fuqisë punëtore?

Stephanie Sieg-Farka: Është një problem shumë i madh. E di që hoteleria po punëson staf nga vendet e tjera, në sektorët e mirëmbajtjes dhe gradualisht edhe kamarierë. Por pyes veten: a është kjo një zgjidhje e qëndrueshme, afatgjatë? A janë këta njerëz nga Bangladeshi, Tajlanda, India, me dëshirën për të qëndruar në Shqipëri apo Shqipëria është thjesht një trampolinë për në Europë, vendet e Bashkimit Europian? Shqipëria është një vend me një gjuhë të veçantë dhe a janë këta njerëz të gatshëm të përshtaten me këtë kulturë dhe të mësojnë gjuhën e këtij vendi? Në mënyrë që të jenë në frontin e parë të punës, sepse sigurisht një sanitareje nuk i duhet të dijë gjuhën por nëse do të punosh si inxhinier apo të kesh një pozicion menaxherial, duhet të flasësh gjuhën. Minimumi të flasësh anglishten. Por në disa pozicione për punëtorë të pakualifikuar nuk duhet të flasësh anglisht, por shqip në mënyrë që të komunikosh me kolegët. Pra, a janë këta njerëz të gatshëm për ta mësuar gjuhën? Apo është thjesht një zgjidhje afatshkurtër për këtë vend?

DW: Si e parashikoni të ardhmen? A do të qëndrojnë ata këtu?

Stephanie Sieg-Farka: Një ndër arsyet se pse njerëzit po largohen është se Shqipëria është bërë shumë e shtrenjtë. Qeveria e ka rritur pagën minimale por njerëzit ende po hasin shumë vështirësi. Unë i shoh çmimet këtu dhe në jetën e përditshme nevojitet një sasi e caktuar të ardhurash për të pasur një minimum standardi jetese. Dhe a kemi arritur këtë minimum standardi me rritjen e rrogave? Jo! Në këndvështrimin tim, jo. Dhe si do ia dalin njerëz nga vende të tjera të varfra, më të varfra se Shqipëria, që të mbijetojnë në një vend që nuk është më një vend i lirë, me çmime të ulëta? Dhe me këtë nuk nënkuptoj që Shqipëria duhet të rrijë në standardet e çmimeve të ulëta. Mendoj se Shqipëria meriton më shumë se të qënit një vend i lirë në çmime. Keni njerëz inteligjentë këtu, që kanë shumë dëshirë të punojnë, gjë që nuk e gjeni në çdo vend. Siç e thashë: le të gjejmë një zgjidhje bashkë. Të sjellësh njerëz nga jashtë është gjithmonë një zgjidhje dhe në Gjermani kjo ka funksionuar dhe kemi qenë shumë të suksesshëm. Por atyre u duhet të mësojnë gjermanishten, të integrohen dhe është shumë punë integrimi i të huajve. Për këtë duhet një strategji për t’ia dalë mbanë bashkarisht. Për të sjellë nga njerëz nga jashtë dhe për të mbajtur shqiptarët këtu. Ne kemi nevojë për ta, ne kemi nevojë për ju!

Stephanie Sieg-Farka drejton prej 7 vitesh biznesin më të madh gjerman në Shqipëri në fushën e pasuriive të patundshme, Tirana Business Park (TBP). Ajo është njëkohësisht edhe drejtore e përgjithshme e MK Hotel, hotel që gjendet brenda hapësirës prej rreth 22 hektarësh të Tirana Business Park. Biznesi i vendosur pranë aeroportit “Nënë Tereza”, financim i “Lindner Group”, pati një kosto fillestare investimi prej 100 milionë eurosh.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Hapet Festivali Olimpik Evropian për të Rinj

Story i radhës

Suarez afër ribashkimit me Messin

Të fundit nga

ShkoLartë