Shqipëri: Hidrocentrali i Skavicës, projekti i kundërshtuar prej dekadash

min lexim

Një rrugë thuajse e pakalueshme dhe sfilitëse lidh fshatrat e Dibrës me Skavicën në Kukës, aty ku pritet të ndërtohet hidrocentrali aq shumë i debatuar këtej pari. Natyra ka qenë dorëlëshuar në këtë pjesë të verilindjes në Shqipëri, ku gjen diell, erë dhe ujë me bollëk. Por pavarësisht të gjitha këtyre burimeve të energjisë së rinovueshme, qeveria ka zgjedhur të ndërtojë një vepër energjetike duke shfrytëzuar sërish lumenjtë e vendit. Këtë herë, mbi lumin Drin, parashikohet të ngrihet një digë me lartësi 147 metra, rezervuari i së cilës do të përmbyste rreth 15 mijë hektarë tokë bujqësore dhe pyje si dhe më shumë se 30 fshatra të luginës së Dibrës.

Majlinda Hoxha e kaloi fëmijërinë e saj duke dëgjuar për hidrocentralin e Skavicës, i planifikuar për t’u ndërtuar nga shumë qeveri shqiptare, që nga diktatura e deri më sot. Fshati i saj Çidhën është një nga dhjetra fshatrat që do të vuajnë pasojat nëse projekti gjen zbatim. Xhaxhai i saj është një ndër të parët qëndrestarë të kësaj kauze dhe traditën e familjes po e çon përpara Majlinda. Shpeshherë, ajo dhe banorët e tjerë janë akuzuar se protestojnë për arsye politike, por këto fjalë nuk e zprapsin. “Kemi më shumë se 20 vite që protestojmë dhe nuk kemi asnjë agjendë. Ne do të kundërshtojmë çdo kompani private dhe çdo nismë që planifikon përmbytjen e Dibrës, shuarjen e historisë së Dibrës dhe vështirëson jetën e dibranëve” – thotë ajo për Deutsche Welle.Por banorët që jetojnë aty nuk janë të vetmit që protestojnë. Edhe përtej kufijve, ata janë organizuar e kanë ngritur zërin në mbrojtje të kauzës. Një prej tyre është edhe Agron Damzi, emigrant në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në 4 nëntorin e një viti më parë, sëbashku me qindra të tjerë, ata protestuan para zyrave qendrore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Në qershorin e këtij viti, marshuan sërish, më të shumtë në numër. “Ne nuk do të ndalojmë së protestuari, deri në anulimin e këtij projekti që zhduk dhe varros përfundimisht Dibrën” – thotë Damzi.

“Skavica”, nga “duart” e BE, tek SHBA

Ndëkaq në Skavicë, kompania amerikane Bechtel pritet të nisë së shpejti punën. Kostoja e projektit nuk është ende e përcaktuar qartë, por qeveria shqiptare ka përmendur shumën prej 500 milionë eurosh. Skavica u mbështet fillimisht nga Fondi i Investimeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Por në janarin e vitit 2021 BE u tërhoq. Në një kërkesë që Deutsche Welle i drejtoi Komisionit Europian, zëdhënësja e këtij institucioni, Ana Pisonero, sqaroi se: “Pas informacionit në lidhje me një memorandum mirëkuptimi midis Shqipërisë dhe SHBA-së për financimin dhe zbatimin e projektit të hidrocentralit të Skavicës dhe pas një sërë konsultimesh me qeverinë e Shqipërisë, BE informoi Shqipërinë për vendimin për të përfunduar grantin e Fondit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor, mbi përgatitjen e investimit, më 15 janar 2021. Edhe pse i takon Shqipërisë të vendosë projektet që përfshihen në Planin Ekonomik të Investimeve, është e rëndësishme të ruhet qendrueshmëria në përparësitë që investimet e mëdha të zbatohen me sukses. Projekti Skavica u përfshi në Planin Ekonomik të Investimeve për Ballkanin Perëndimor me kërkesën e Shqipërisë, dhe më pas u tërhoq, pas marrëveshjes midis Shqipërisë dhe SHBA”.

Pasi mori përgjigjen e BE-së, Deutsche Welle i dërgoi një sërë pyetjesh edhe zyrës së Kryeministrit të Shqipërisë, në disa kërkesa të ripërsëritura, për të mësuar më shumë rreth tërheqjes nga marrëveshja fillestare me BE-në dhe me fatin që do të kenë banorët e fshatrave të Dibrës që preken nga projekti. Pyetjet tona nuk morën përgjigje.Deri tani banorët janë krejtësisht të paqartë dhe të painformuar se çfarë do të ndodhë me ta, tokat dhe bagëtinë e tyre. “Po të ndërtohet Skavica, ne na përmbyt tokat, shtëpinë e na përmbyt shpirtërisht të gjithëve” – i tregon DW Hazis Çerpja, banor i Zall-Dardhës, një nga fshatrat e Dibrës që do të preket nga ndërtimi i hidrocentralit. 

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

​Martinez publikon listën e Belgjikës për Botëror, s’ka vend për Januzajn

Story i radhës

Në tre muajt e ardhshëm nuk ka terminë për mamografi në Shkup

Të fundit nga