Shqetësuese: Transporti urban në Tiranë vijon me rënien e pasagjerëve, operatorët: Deri 40% më pak se 2019, për shkak të emigracionit

min lexim

Transporti urban në kryeqytet vazhdon të mos rimëkëmbet, jo vetëm për shkak të kostove të larta nga shtrenjtimi i naftës, por edhe nga rënia e numrit të pasagjerëve.

Kriza e rënies së pasagjerëve nisi që në vitin 2020 me pandeminë e Covid-19, ndërsa vijon të thellohet për shkak të emigracionit të lartë të popullsisë.

Sipas të dhënave të Bashkisë së Tiranës për periudhën janar-qershor 2021 numri i pasagjerëve që përdorin transportin publik është 49% më pak se e njëjta periudhë e 2019-s. Për 6 mujorin e parë të 2021 rreth 50% e pasagjerëve përdorën abone, ndërsa pjesa tjetër udhëtuan me bileta dhe libreza. Në 2019 rreth 63% e pasagjerëve të linjave urbane përdorën abone, 37% përdorën bileta dhe libreza.

Operatorët kryesorë të linjave urbane në kryeqytet thanë për Monitor se aktualisht numri i pasagjerëve është 40% më pak se viti 2019, që konsiderohet periudha para krizës. Për shkak të rënies së pasagjerëve kompanitë e këtij sektori po funksionojnë me flotë të reduktuar autobusash.

“Me nisjen e fillimit të shkollës numri i pasagjerëve pati një rritje, krahasuar me muajt e verës ku frekuentimi ishte më i ulët. Por frekuentimi vijon të mos jetë në nivelet e parakrizës. Arsyeja e uljes së numrit të pasagjerëve është emigracioni i popullsisë, kryesisht të rinjve”, pohon drejtori i linjës së transportit urban Kombinat-Kinostudio-Tufinë, Kostandin Foni.

Për t’i ardhur në ndihmë sektorit për shkak të shtrenjtimit të çmimit të naftës qeveria miratoi vendimin për rimbursimin me 100 lekë për litër për naftën e shpenzuar për muajt gusht-shtator-tetor. Kjo është paketa e dytë antikrizë në ndihmë të sektorit. E njëjta paketë u përdor për rimbursimin e naftës për muajt mars-prill-maj. Ndërsa për muajt qershor dhe korrik transporti urban në tërësi vuajti shtrenjtimin e kostove nga rritja e çmimit të naftës. Operatorët në Tiranë paralajmëruar ndërprerjen e abonesë nëse nga qeveria nuk merreshin masa.

Tashmë sipas vendimit “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës së kompensimit për shoqëritë e transportit të linjave qytetase, rrethqytetase dhe ndërqytetase, pjesë e paketës antikrizë, faza II”, operatorët prej muajit shtator kanë të drejtë të aplikojnë për rimbursimin e naftës. Aplikimet do të pranohet deri në muajin dhjetor 2022.

Kompanitë kryesore të transportit urban në Tiranë pohojnë se vendimi u lehtëson kostot, pasi e çon çmimin e naftës në nivelin e 130 lekë për litër, aq sa e  blinin në 2021. Por për ta subvencionet disamujore, vlerësohen të pamjaftueshme, pasi ndihma reale ndaj sektorit do të ishte duke pasur subvencionim të vazhdueshëm, me qëllim që të mos përsëritet e njëjta situatës si në muajt e verës. /MONITOR

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Ndalohen në Kamjan dy persona nga Vaksinca e Kumanovës

Story i radhës

Caktohet orari për ndeshjet Prishtina – Drita dhe Malisheva – Ballkani

Të fundit nga