Shpresat e normalizimit diplomatik mes Arabisë Saudite dhe Izraelit

min lexim

Gjatë turneut në Arabinë Saudite, Izrael dhe Bregun Perëndimor javën e ardhshme, Presidenti Joe Biden pritet që të shtyjë Riadin drejt një normalizimi diplomatik me Izraelin. Kjo do të përbënte një zgjerim të dukshëm të Marrëveshjeve të Abrahamit, plani i paqes për Lindjen e Mesme i periudhës së Presidentit Trump.

Nga konkurset e bukurisë e deri tek takimet e zyrtarëve të lartë…

“Ministrat e Jashtëm të Izraelit, Marokut, Bahreinit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Egjiptit krah për krah në Izrael. Disa vite më parë, ky takim do të ishte i paimagjinueshëm”, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken.

Pas Marrëveshjeve të Abrahamit të vitit 2020, për normalizimin e marrëdhënieve mes Izraelit, Bahreinit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Marokut dhe Sudanit, në rajon është shtuar angazhimi. Kjo vlerësohet si arritja më e rëndësishme e ish-Presidentit Donald Trump në politikën e jashtme.

“Pas dekadash ndasish dhe konflikti, ne shënojmë agimin e një Lindje të Mesme të re”, u shpreh Presidenti Trump ditën e nënshkrimit të marrëveshjeve në shtatorin e vitit 2020.

Para marrëveshjeve, për dekada me radhë ekzistonte një perceptim rajonal se nuk mund të arrihej një paqe arabo-izraelite pa njohjen e shtetit palestinez.

Por droja e rajonit nga Irani ndihmoi në ndryshimin e kësaj mendësie.

Presidenti Biden do të shprehë mbështetjen për zgjidhjen me dy shtete të konfliktit me Izraelin, kur të takohet me presidentin palestinez Mahmud Abbas, në të njëjtën kohë që administrata e tij po vepron në heshtje për të zgjeruar marrëveshjet.

John Kirby është Koordinator për Komunikime Strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

“Besojmë se kjo është e mirë për rajonin. Është e mirë për interesat e sigurisë të të gjithë të interesuarve, përfshirë Shtetet e Bashkuara”.

Për mbretin saudit Salman, kauza palestineze është e rëndësishme, por djali i tij, Princi i Kurorës Mohammed bin Salman, ka të tjera pikëpamje, thotë për Zërin e Amerikës Steven A. Cook, analist për Lindjen e Mesme dhe Afrikën në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë.

“Princi saudit i kurorës deklaroi në pranverë se ai e sheh Izraelin si një aleat të mundshëm dhe se normalizimi po ndodh”.

Pas udhëtimit të zotit Trump në vitin 2017 nga Riadi në Tel Aviv, sauditët po lejojnë Presidentin Biden të fluturojë nga Tel Avivi në Xhedah, hera e parë për një president amerikan dhe tjetër sinjal i ngrohjes së marrëdhënieve edhe nëse normalizimi nuk është i afërt.

Kristian Coates Ulrichsen, me Institutin Baker, thotë për Zërin e Amerikës se gjërat po ndryshojnë.

“Po hapet në një shkallë më të lartë. Pe e përgatit popullin saudit ndaj idesë se Izraeli nuk është atomatikisht aktor i keq”.

Pritet të shihet nëse Riadi do të lejojë fluturime direkte nga Tel Avivi për pelegrinazhin e haxhit. Duke patur parasysh ndikimin e mbretërisë në botën myslimane, njohja e Izraelit nga sauditët do të kishte ndikim të rëndësishëm, madje edhe në vende të largëta si Indonezia, vendi më i populluar në botë me shumicë myslimane që krenohet për solidaritetin me palestinezët./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Ndoshta jeni bërë për njëri-tjetrin: Një psikolog i famshëm thotë se këto 3 gjëra tregojnë pikërisht këtë

Story i radhës

Protesta të shumta qytetare, kryeministri i këtij vendi njofton dorëheqjen: I hap rrugë një qeverie gjithëpartiake

Të fundit nga