Grupmoshat nën 14 dhe nën 16-vjeç nesër – e dielë – zhvillojnë ndeshjet finale, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, në Prishtinë.
Shpresat e volejbollit kosovar janë pikërisht këto grupmosha, derisa Federata e Volejbollit të Kosovës do të punojë vazhdimisht në promovimin dhe ngritjen e tyre sportive në vitet e ardhshme për një të ardhme të sigurtë volejbolli.
FVK është e ngazëllyer të njoftojë se nesër zhvillohet faza përfundimtare e këtyre grupmoshave, derisa sot janë përcaktuar edhe ekipet finaliste në grupmoshën U14, femrat. Në finale do të luajnë Kastrioti kundër Therandës, me fillim nga ora 12:00, në përballjen që do ta shpallë kampionin e ri të kësaj moshe.
Sa i përket konkurrencës së meshkujve U14, finalja do të luhet mes Feronikelit dhe Malishevës, me fillim nga ora 11:00.
Në grupmoshën nën 16-vjeç, meshkujt, të dielën do të zhvillohen ndeshjet gjysmëfinale, para finales së madhe. Gjysmëfinalja e parë luhet mes Prishtina Vollej M dhe Malishevës, me fillim nga ora 13:30, ndërsa Kaçaniku – Vëllaznimi është ndeshja e dytë gjysmëfinale që fillon nga ora 14:30. Finalja luhet me fillim nga ora 18:30.
Në konkurrencën e femrave, Gjinoci – Drita është çifti i parë gjysmëfinal në përballjen që luhet me fillim nga ora 15:30, e përcjellur nga gjysmëfinalja e dytë mes Ferizajt dhe Malishevës nga ora 17:00. Finalja luhet me fillim nga ora 20:00.