Superkupa Mbarëko mbëtare e basketbol lit ka dhuruar përplasjen e radhës ndërmjet Federatës Shqiptare të Basketbollit dhe klubit të Teutës. Gjithçka ka nisur pas vendimit të durrsakëve për të mos marrë pjesë në këtë kompeticion, teksa bregdetarët njoftuan tërheqjen duke deklaruar zyrtarisht se një pjesë e madhe e lojtarëve janë me probleme shëndetësore në prag të këtij eventi.
Teuta nuk i ka pritur aspak mirë reagimet e FSHBsë në lidhje me mungesën e saj në aktivitetin që tashmë ka nisur në Mitrovicë, duke e konsideruar si provokuese sjelljen e federatës. Por le të shikojmë kronologjinë e të gjithë kësaj përplasjeje, që ka ardhur menjëherë pas tërheqjes së Teutës nga aktiviteti mbarëkombëtarë i basketbollit.
POSTIMI FSHB-së – Pasi u njoftua për mungesën e klubit durrsak në Superkupën Mbarëkombëtare, FSHB-ja doli menjëherë me një deklaratë në faqen e saj:
“Skuadra e Teuta Basket tërhiqet nga gjysmëfinalja e Superkupës Mbarëkombëtare në momentin e fundit, pas njoftimit të presidentit të shoqatës Teuta Basket z. A.Gorea, duke paraqitur si shkak problemet shëndetësore të disa lojtarëve. Kështu, sportdashësit durrsakë nuk do të kenë mundësi të shohin skuadrën e tyre në këtë eveniment të rëndësishëm, duke humbur kështu edhe mundësinë e finales së madhe.
Përballja tjetër gjysmëfinale do të jetë ajo midis Kampionëve të Kosovës, Golden Eagle Yllit dhe fituesve të Kupës Kosovës, Trepçës. Ekipi i Tiranës do të jetë direkt në finalen e Superkupës Mbarëkombëtare. Le të shpresojmë që basketbollistët e Tiranës do të bëjnë një përfaqësim dinjitoz dhe pse jo të shpallen fitues të Superkupës Mbarëkombëtare se Ligës Unike.
Gjithsesi finalja e Superkupës Mbarëkombëtare, si dhe finale të tjera që do të zhvillohen në kuadër të ‘Ligës Unike’ do të kurorëzohen me sukses të plotë. Suksese ekipeve pjesëmarrëse dhe organizatorëve të këtij eventi kaq të rëndësishëm”, shkruhet në deklaratën e Federatës Shqiptare të Basketbollit.
Ndërkohë në një tjetër postim të FSHB-së thuhet se në Superkupën Mbarëkombëtare, do të jetë i pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm i FIBA World, Andreas Zaklis dhe evidentohet se Teuta me mungesën e saj nuk do të ketë fatin të shikohet nga delegacioni i FIBA-s: “Në këtë ngjarje kaq të rëndësishme për basketbollin mbarëkombëtarë do të jetë i pranishëm Sekretari i përgjithshëm i FIBA World, z.Andreas Zagklis. Kështu Teuta me tërheqjen e saj të papritur nuk e pati fatin të jetë e shikuar nga delegacioni i FIBA World, si dhe personalitetet me të rëndësishëm të basketbollit”, shkruhet ndër të tjera në postim. Por këto deklarata që nuk janë pritur aspak mirë nga Teuta, e cila dje ka reaguar me tone të ashpra në faqen e klubit.
REAGIMI I TEUTËS – Durrsakët e kanë cilësuar si provokuese sjelljen e federatës, e për këtë kanë dalë me një komunikatë ku akuzojnë federatën se në vend që të interesohej për shëndetin e lojtarëve ka bërë komente të panjerëzishme ndaj tyre.
Gjithashtu klubi bregdetar më tej e godet me “spondë” FSHB-në duke deklaruar se tërheqja nuk ka lidhje as me baste sportive apo me pazare të pista reklamash.
Ja postimi i plotë i Klubit të Basketbollit Teuta: “Po adresojmë edhe një herë përgjigjen tonë për mospjesëmarrjen në Superkupën e Ligës Uniqa. Që një tekst i shkurtër, korrekt që shprehte pamundësinë e pjesëmarrjes për arsye shëndetësore (më shumë se gjysma e ekipit është e pamundur nga ana shëndetësore të marrë pjesë). Çuditërisht në vend që federata t’u uronte shërim të shpejtë këtyre djemve të mrekullueshëm, që i kanë falur rininë dhe emocionet këtij sporti kaq të bukur, marrim komente të panjerëzishme për ekipin e Teutës (ekipin lider të basketbollit shqiptar që ka dhuruar vetëm rezultate maksimale dhe spektakël sportiv këto vite pjesëmarrje). Tërheqja jonë që e thjeshte, njerëzore dhe nuk ka lidhje as me baste sportive, as me pazare të pista reklamash.
Për sa i përket spektaklit që do t’i mungojë tifozërisë durrsake, ju kujtojmë se ka vite që FSHB-ja nuk organizon asnjë event në pallatin e sportit ‘Ramazan Njala’, as kur ekipi ynë ka qenë finalist e pretendent kryesor në Balkan League duke i organizuar ndeshjet në Tiranë
. Qytetaria durrsake ka memorie dhe informacionin e mjaftueshëm për t’i gjykuar vetë këto situata.
Falënderojmë të gjithë tifozërinë e mrekullueshme që na mbështet ndër vite, duke u rikujtuar se skuadra jonë ka luajtur gjithmonë për ta dhe mbështetjen e pakushtëzuar që falin dhe jo për organizata jo transparente që kanë në interes vetëm të luajnë me djersën e sportistëve dhe paratë e sponsorëve dhe presidenteve!”, shkruan Klubi i Teutës në deklaratën e bërë ditën e djeshme. Përplasje që i hedhin benzinë zjarrit që në start të sezonit të ri.