Avokati Idajet Beqiri ka deklaruar në një emision televiziv se komisioni “Xhafaj” nuk duhet paragjykuar pasi sipas tij, ky komision synon rregullimin e institucioneve në vend.
Beqiri vuri në dukje se dyshimet për komisionin “Xhafaj” janë të njëjta me ato në fillimet e reformës në drejtësi.
“Kam parasysh kur u bë reforma në drejtësi. Me këtë gjuhë kemi folur edhe atëherë, nuk e pranuam, filluam dyshimet. Në këtë vend ka diçka që është futur në praktikë që dënojmë, dhe më pas themi “hajt të bëjmë gjyqin” dhe pastaj shohim se çfarë provash ka apo nuk ka, por dënojmë fillimisht. Edhe ne këtë komision ne po e dënojmë. Po i japim dënimin se po i themi dyshimet që kemi nga të gjitha anët. Pastaj kur ai ta mbarojë punën dhe ai fryti i tij të jetë tepër pozitive për vendin, ne e kemi dënuar, nuk e di çfarë do të themi atëherë”, u shpreh Beqiri.
Ai shpjegoi më tej se komisioni që drejtohet nga ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka si qëllim rregullimin e institucioneve në vend sepse sipas tij ka mangësi të mëdha.
“Institucionet nuk janë tërhequr. Kjo tregon që institucionet në vend nuk janë më dele si dikur, që “do ngremë një institucion por duhet të jeni edhe ju të gjykatës së lartë, dhe vinin me vrap sepse iu thoshte politika”. Kurse tani institucionet janë realisht të pavarura, dhe institucionet e pavarura nuk thonë që janë kundër këtyre rregullimeve që do të bëjnë. Mbi 80 për qind të shumicës që do të bëjë ky komision hetimor do të jenë nga ato që i kanë plagë këto institucione dhe që ia kanë çuar në një mënyrë a në një tjetër për t’i rregulluar sepse ka mangësi të mëdha”, nënvizoi më tej Beqiri.
BURIMI: Bota Sot