Një 39-vjeçar është arrestuar në Durrës pasi akuzohet për shpërndarje të lëndëve narkotike në qytet. Bashkë me të edhe një 17-vjeçar do të hetohet për këtë çështje.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të DVP Durrës, gjatë kontrollit të territorit, për garantimin e rendit dhe sigurisë, kanë ndaluar në zonën e quajtur “Pranvera”, automjetin me të cilin qarkullonin 2 shtetas që dyshohej se shpërndanin lëndë narkotike në doza. Gjatë kontrollit fizik, drejtuesit të automjetit, shtetasit M. K., dhe pasagjerit, shtetasit A. J., iu gjetën doza të lëndës së dyshuar narkotike kokainë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës u arrestua shtetasi M. K., 39 vjeç, banues në Durrës, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 17-vjeçarin, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.