Shpërbëhet qeveria në Gjermani, gazetari zbulon çfarë pritet të ndodhë pas kolapsit politik

November 9, 2024
min lexim

Në Gjermani, koalicioni trepartiak i kancelarit Scholz u shpërbë, ndërsa tani Gjermania do t’u drejtohet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Gazetari i DW, Auron Dodi ka zbuluar në një komunikim me News24 se si paraqitet situata në Gjermani dhe cila është fryma mes qytetarëve gjermanë.

Auron, përshëndetje. Nuk jemi mësuar me lajme të tilla nga Gjermania. Çfarë e solli kolapsin e qeverisë gjermane?

Dodi: Përshëndetje. Koalicioni qeveritar në Gjermani, me socialdemokratët-të-gjelbrit-liberalët e FDP-së, tani i përket historisë. Ky koalicion u shpërbë të mërkurën, për shkak të dallimeve ideologjike: për debatin se cila politikë ekonomike duhet ndjekur për ta rigjallëruar ekonominë gjermane.

Kancelari Olaf Scholz kishte paraqitur të mërkurën për miratim (në një mbledhje të komisionit të koalicionit) një dokument me vendime. Dokumenti kërkonte të pranohej se Gjermania po përjeton një situatë emergjente. Kjo do të justifikonte juridikisht marrjen e një borxhi miliardash dyshifror, nga qeveria. Në situata emergjente frena kushtetuese për borxhin lejohet të shkelet.

Dokumenti i kancelarit ishte përgjigje ndaj kërkesave të së premtes së kaluar të ministrit të Financave, Christian Lindner: me një dokument 18 faqesh, Lindneri kërkoi papritur një kthesë radikale ekonomike: shkurtime masive të shpenzimeve dhe ulje taksash.

Por Lindneri, nga partia më e vogël liberale FDP, nuk i pranoi propozimet e kancelarit. Kjo megjithë katër përpjekjesh për kompromis nga kancelari që prej së hënës. Linderi kërkoi përgatitje të përbashkëta, për të shkuar „me rregull e dinjitet“ në zgjedhje të parakohshme. Lindneri e bëri këtë edhe me shpresë se partia liberale FDP, që rrezikohet të mos hyjë dot në Bundestag-un e ri, të përfitojë: duke u parë në popull si çliruese nga një koalicion qeveritar jo shumë popullor.

Çfarë ndodhi më tej?

Dodi:Refuzimi i ministrit të Financave, bëri që për kancelarin situata të bëhej e patolerueshme. Scholzi vendosi të jetë ai që ta kontrollojë procesin. Pas kësaj, Olaf Scholzi e shkarkoi ministrin e Financave, Christian Lindner.

Scholzi tha se Lindneri e “kishte shkelur shumë herë besimin e tij”. Ai kishte “bllokuar ligjet për shkaqe që nuk kishin të bënin me përmbajtjen”. Dhe kishte ndjekur “shumë shpesh një politikë të ngushtë partiake”. Kancelari tha se “kushdo që në një situatë të tillë refuzon…një ofertë kompromisi, vepron në mënyrë të papërgjegjshme”. Në vazhdim, qeverinë e braktisën edhe dy ministra të tjerë liberalë të FDP-së.

Zgjedhjet e parakohshme nuk janë të pazakonta në vende të tjera evropiane. Pse kjo tronditje në Gjermani?

Dodi:Sot, shumë gjermanë shprehen në medie të lehtësuar që mori fund ajo që përjetohej si një ecje e frenuar, apo nga disa edhe paralizë në Berlin. Tronditja kishte të bënte me ditën kur u shpërbë qeveria: ishte dita kur Donald Trumpi u rizgjodh qartë President i SHBA. Kjo ka shkaktuar pasiguri në BE dhe veçanërisht në Gjermani: për politikat ekonomike dhe të sigurisë që do të ndjekë Trumpi.

Kujtoj se Gjermania e pasluftës është simbol i stabilitetit politik. Presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier tha në një deklaratë të posaçme, se në 75 vjet Republikë Federale gjermane janë shumë të pakta rastet, kur një qeveri gjermane e ka humbur shumicën parlamentare pa marrë fund legjislatura.

Në mendje na vjen rasti i mbi 40 vjetëve më parë: kur socialdemokratët e kancelarit Helmut Schmidt e humbën shumicën gjatë legjislaturës. Sepse liberalët e FDP-së të Hans-Dietrich Genscherit, braktisën, po për arsye ideologjike, qeverinë socialdemokrate. Ata vendosën t’i bashkohen CDU-së së kancelarit Helmut Kohl. Prej vitit 1982, CDU-ja dhe liberalët e FDP-së e qeverisën Gjermaninë për 16 vjet rresht.

Në vitin 2005, kancelari socialdemokrat Gerhard Schröder, kërkoi votëbesimin pa nevojë, për të imponuar zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e parakohshme erdhën, por Schröderi nuk përfitoi prej tyre, si synoi. Në pushtet erdhi CDU me Angela Merkelin, e cila në koalicione të ndryshme e qeverisi Gjermaninë për 16 vjet rresht.

Presidenti i Gjermanisë, Steinmeier foli në fjalën e tij për orë dramatike për Gjermaninë . Si duhet kuptuar kjo?

Dodi:Koalicioni qeveritar në Gjermani ishte jo shumë popullor, për shkak të fërkimeve publike. Por dramatika, mendoj se u ushqye nga përkimi i zhvillimeve në SHBA me shkarkimin e papritur, spektakular nga kancelari Scholz, të ministrit liberal të Financave. Në fakt, krizat në botë: lufta në Ukrainë, inflacioni, çmimi i lartë i energjisë e shtuan presionin mbi paratë në Gjermani. Edhe mbi fondet që mund të ndahen nga qeveria Scholz. Edhe fondet në dispozicion për klientelën e secilës parti nuk mjaftuan më për të mbuluar dallimet ideologjike.

Socialdemokratët e Të Gjelbrit flasin për kohë të jashtëzakonshme dhe kërkojnë më shumë borxhe. Aq më tepër kur Gjermania është një shtet me borxhin më të ulët në Evropë : 63,7% (2023). Liberalët duan që shteti të shpenzojë aq para sa merr nga taksat: siç e kërkon frena kushtetuese e Gjermanisë. Të Gjelbrit, e pjesërisht edhe socialdemokratët, kërkojnë që shteti të ndërhyjë për zbatimin e politikave sociale dhe ekologjike. Liberalët e FDP-së janë për tregun si rregullator ekonomik dhe konkurrencën e lirë.

Çfarë do të ndodhë më tej?

Dodi:Scholzi deklaroi të mërkurën në mbrëmje se do të kërkojë votëbesimin në 15 janar. Meqenëse pritet që ai ta humbë këtë votëbesim në Bundestag, Bundestagu do të shpërndahet- me dekret të Presidentit të Gjermanisë.

Brenda 60 ditësh, pra deri në fund të marsit, Gjermania duhet të mbajë zgjedhje të reja parlamentare. Deri atëherë, kancelari Scholz tha se do të përpiqet të zbatojë disa projekte ligjore, si reformën e pensioneve apo miratimin e rregullave evropiane të azilit, me mbështetje nga parti të tjera për to.

Kancelari Scholz mund të përpiqet edhe të krijojë një koalicion të ri qeveritar, pa kaluar në zgjedhje. Por kryetari i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag, Friedrich Merz, e përjashtoi publikisht pjesëmarrjen në një qeveri me socialdemokratët e Të Gjelbrit.

Opozita dhe disa parti kërkojnë që Scholz ta kërkojë menjëherë votëbesimin dhe që zgjedhjet të mbahen në janar. Do të ndodhë kjo?

Dodi:Zgjedhje më të hershme mund të kemi vetëm nëse presioni publik për këtë bëhet i papërballueshëm. 65% e gjermanëve janë vërtet për zgjedhje më të hershme. Por ky është vetëm rezultat i një sondazhi.

Po të mos dojë kancelari vetë, nuk e detyron dot askush për zgjedhje më të hershme. Në Gjermani nuk është e lehtë të imponosh zgjedhje të parakohshme.

Për arsye të destabilizimit të Republikës së Vajmarit, në vitet 1930 nga nazistët e Hitlerit, në kushtetutën e Gjermanisë u fut pas luftës një element i veçantë.

Neni 67, përmban të ashtuquajturën “mocion konstruktiv mosbesimi”. Në të thuhet se nuk mjafton që parlamentarët ta shkarkojnë me shumicë 2/3 kancelarin. Por njëkohësisht ata duhet të zgjedhin, me shumicë absolute, edhe një kancelar të ri. Raportet e shumicës, në Bundestagun aktual, përjashtojnë që deputetët e tjerë, jashtë partive në qeveri, të arrijnë shumicë për një kancelar të ri. Ata kanë gjithsej 325 mandate, nga 733 deputetë në Bundestag.

A do ta luajë dot Gjermania në këtë situatë rolin që i takon në politikën e jashtme?

Dodi:Pyetja është e kuptueshme. Sigurisht që situata në Gjermani përpin shumë burime njerëzore: tani shkruhen me shpejtësi programe partiake për zgjedhjet; politikanët duhet të vendosin papritur për karrierat e tyre, p.sh. a duan të rikandidojnë apo jo, e kështu me radhë.

Por për politikën e jashtme, si ministrja e gjelbër e Jashtme Analena Baerbock, ashtu edhe kancelari janë edhe për disa muaj (apo për disa javë) në post. Gjermania ka rregulla, edhe për situata të tilla pezull, që zakonisht janë pas zgjedhjeve parlamentare në Gjermani. Parimi është që të gjitha masat, tashmë të miratuara nga qeveria, është e detyrueshme të zbatohen. Edhe kur bie qeveria. Kjo ka të bëjë në radhë të parë me financimin e masave. Për ndihmën për Ukrainën, p.sh. shumë fonde janë miratuar.

Por edhe në politikën e brendshme: shteti nuk kërcënon të bllokohet, si në SHBA. Edhe po të mos miratohet buxheti i vitit 2025, një shkak tjetër i kolapsit të koalicionit qeveritar në Gjermani.

Rregullat gjermane përcaktojnë që edhe në këtë fazë, shteti të shpenzojë aq sa ka shpenzuar në të njëjtin muaj, një vit më parë. Pra financimi p.sh. i pagave dhe i sektorëve të ekonomisë vazhdon normalisht.

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Lori publikon foto në veshje tradicionale

Story i radhës

Plagosja në Hajvali, i dyshuari në arrati – Policia tregon çka gjeti gjatë kontrollit në shtëpinë e tij

Të fundit nga

ShkoLartë