Shoqërimi i protestuesit, policia: Mbante thikë! PD: Po shkonte për të ndezur qirinj me flamur në dorë

min lexim

Policia dhe deputetët e PD dhanë deklarata të ndryshme në lidhje me shoqërimin e një personi para Kryeministrisë, pas tubimit të organizuar nga opozita. Sipas policisë i riu nga Lushnja u ndalua pasi mbante një thikë në dorë dhe kryente lëvizje të çrregullta, ndërsa deputetët e opozitës thanë se ai po shkonte për të vendosur një flamur në dritaret e Kryeministrisë dhe për të ndezur qirinj.

Një person u shoqërua në komisariatin nr 1 të policisë në Tiranë në mbyllje të protestës së opozitës, pas çarjes së kordonit të policisë tek Kryeministria.

Deputetët e opozitës, thanë fillimisht se qytetari ishte duke tentuar të merrte një flamur të rënë përtokë, për ta vendosur ne dritaret e Kryeministrisë.  

Strazimiri: Ka dashur të vendosë këtë flamurin e Shqipërisë te dritarja e Kryeministrisë. Po të kishte pasur flamurin serb nuk do ti kishte ndodhur gjë se na prishej miqësia. Këtë flamur e miri një nga kameramanët, ishte bërë si leckë, e shkelën me këmbë policët e këtij shteti dhe nuk e ngritën. Nuk ua vriste sytë. Për këtë flamur e morën djalin, donte ta vendoste te dritarja e kryeministrisë. Ja thashë një prej policëve, je betuar mbi këtë flamur. Do shkojmë tani në komisariat ta sqarojmë, i kërkojmë falje edhe flamurit, jo vetëm djalit”.

Deputetët e PD-së bashkë me avokatin shkuan në polici dhe u interesuan për qytetarin e ndaluar.

Avokati: Do mbetet vetëm me statusin e të shoqëruarit, nuk do të ketë veprime të mëtejshme pas interesimit që ne bëmë në komisariat.

Deputeti Klevis Balliu u shpreh pas interesimit në polici se qytetari ka qenë duke shkuar për të ndezur qirinj në derën e Kryeministrisë për Klodian Rashën dhe Lear Kurtin.

Balliu: Ka pasur probleme shëndetësore dhe për këtë arsye do të shoqërohet nga policia e shtetit në shtëpinë e tij.Qytetarët donin të vendosnin qirinj në kujtim të qytetarëve që kanë humbur jetën në këto kohë, kujtojmë rastin e Klodian Rashës dhe Leart Kurtit.

Policia e Tiranës në një deklaratë zyrtare për median, tha se pas tubimit të opozitës ka shoqëruar 25 vjeçarin me iniciale J.Ç nga fshati Gurrëz në Lushnjë.

Sipas komunikatës, shoqërimi i tij u bë pasi në përfundim të tubimit është konstatuar se mbante një mjet prerës në dorë dhe kryente lëvizje të pakontrolluara.

Duke publikuar edhe foton e thikës së sekuestruar, policia tha se 25-vjeçari ka rezultuar me probleme shëndetësore dhe se nuk ka asnjë protestues tjetër të shoqëruar.  

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Nisin hetimet për futbollistin e ekipit të njohur gjerman

Story i radhës

Çamçakëz e gëlltitur? Ja çfarë ndodh në stomak

Të fundit nga