1
Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, Shkupi, për dy ditë radhazi – të shtunën dhe të dielën – është renditur ndër dhjetë qytetet më të ndotura në botë. Këto të dhëna ka nxjerrë kompania botërore IQAir, e cila mat cilësinë e ajrit dhe ka selinë në St. Gallen të Zvicrës. Sipas kësaj platforme, ajri në Shkup gjatë fundjavës u kategorizua “i pashëndetshëm”, ndërsa grimcat kryesore ndotëse ishin ato PM 2.5 dhe PM10.
Nga ana tjetër, të dhënat nga stacionet matëse të Ministrisë së Mjedisit treguan se përqendrimi i grimcave PM10 në ajrin në qendër të Shkupit, të dielën e 10 nëntorit arriti në 276 mikrogramë për metër kub – vlera më e lartë e regjistruar në vend për këtë vit. Grimcat PM2.5 ishin 14 herë më të larta sesa vlera vjetore e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Sipas ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, grupet më të rrezikuara nga ndotja e ajrit janë fëmijët, gratë shtatzëna, të moshuarit, si dhe personat me sëmundje kronike.
“Unë i pashë rezultatet… Në pesë komuna ka një ndotje të ngjashme. Ky është një fenomen i gjeneralizuar në Maqedoninë e Veriut”, deklaroi të hënën Taravari.
Taravari tha se ministria që ai e udhëheq ka filluar një projekt me vlerë mbi 10 milionë euro për instalimin e sistemeve të ngrohjes nëpër spitale, për të reduktuar ndotjen e ajrit.
“Bëhet fjalë për më shumë se 10 spitale në Maqedoninë e Veriut, ku do të vendoset ngrohje që nuk e ndot ajrin. Këto janë masat e para, të cilat do të duhet t’i marrim”, pohoi Taravari, para ngjarjes së organizuar nga UNDP-ja (Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim) dhe ambasada suedeze, e cila kishte në fokus ndotjen e ajrit dhe ndikimin e saj te fëmijët.
Ekologjia dhe ndotja e ajrit “janë çështjet e fundit, për të cilat mendojnë politikanët, veçanërisht në Shkup”, thotë për Radion Evropa e Lirë aktivisti dhe gazetari nga Qendra për Gazetari Hulumtuese Scoop, Goran Lefkov.
Ai shton se, sipas një studimi të realizuar gjatë viteve 2016-2017, ndotja në Shkup kryesisht buronte nga transporti (30%), ngrohja e qytetit (20%), nga ndërtimtaria dhe të tjera.
“Flasim për grimcat PM-10, të lidhura me ndotësit e ajrit. Dhe, kur i shikoni të gjitha këto burime ndotjeje, e kuptoni se, në fakt, nuk është bërë asgjë për t’i zgjidhur këto”, thotë Lefkov.
Si problem të dytë ai e veçon transportin.
“Në Shkup, dikur është thënë se për ndërtimin e një sistemi tramvajesh, duhen rreth 200 milionë euro. Kjo është shumë më tepër sesa çmimi i autobusëve elektrikë të blerë nga Kina dhe Ukraina në vitet 2009-2010, të cilët kushtuan 20-30 milionë euro, dhe tashmë janë të papërdorshëm. Kjo është një shenjë e paaftësisë për të zhvilluar sisteme transporti, efikase dhe ekologjikë”, vlerëson ai.
Një çështje tjetër për të cilën Lefkov thotë se do ta reduktonte ndotjen e ajrit është edhe “mbështetja për makinat elektrike, si dhe mungesa e korsive të biçikletave”.
“Shkupi duhet të ketë rreth 940 kilometra shtigje për biçikleta, rrugë ose korsi për biçikleta”.
“Unë kam makinë elektrike dhe nuk ka absolutisht asgjë. Më parë, në shtatorin e vitit të kaluar nëse nuk gaboj, kishte stacione furnizimi falas. Mirëpo, tani, gjithçka është bërë me pagesë, si dhe ka shumë pak pika furnizimi. Disa nuk punojnë, dhe kur punojnë, kanë miliona probleme”, thotë ai.
Edhe Metin Muharemi nga organizata joqeveritare CED, me seli në Tetovë, ndan të njëjtin qëndrim sa i përket “mungesës së veprimeve institucionale” për përmirësimin e cilësisë së ajrit:
“Për dy-tri ditë e dëgjojmë këtë lajm, dhe nuk po ndërmerret asgjë. Nuk ka asnjë reagim konkret, as nga institucionet përkatëse, e as nga komunat”.
Sipas tij, autoritetet duhet të veprojnë përpara sezonit të ngrohjes, dhe jo të presin, siç thotë, vjeshtën kur qytetarët përballen me kaosin për ngrohje.
“Duhet të fillohet me masa të ndryshme nga Qeveria, shumë më herët, para fillimit të sezonit të ngrohjes. Dhe, e dyta, subvencionimi i invertorëve. Edhe pse ka diçka në lidhje me këtë, por, shumë pak ka transparencë për këtë, ndërsa edhe numri është shumë i vogël”, thotë Muharemi.
Në Maqedoninë e Veriut, javën e kaluar u shpërndanë rreth 80 për qind e subvencioneve të parapara për blerjen e kondicionerëve. Ministria e Energjisë vlerësoi se procesi u zhvillua pa ndërprerje dhe në mënyrë efikase, duke u mundësuar qytetarëve “tërheqje të shpejtë dhe të lehtë të triskave”.
“Është realizuar procesi i ndarjes së triskave për blerjen e kondicionerëve, me qëllim rritjen e efikasitetit energjetik të shtëpive nëpër gjithë shtetin. Deri në ora 15, janë ndarë mbi 80 për qind nga 6.182 triskat e parapara”, sqaroi Ministria e Energjisë.
Sipas ueb-faqes, AirVisual, po ashtu më 5 nëntor Shkupi ndodhej në vendin e 22-të në mesin e qyteteve më të ndotura në botë. Në krye të kësaj liste, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut vitin e kaluar u gjend disa herë. Por, gjendja nuk është e tillë vetëm në Shkup.
Gjatë stinës së dimrit, edhe qytetet tjera si, Manastiri, Tetova, Gostivari, Kërçova, apo edhe Ohri, kanë përqendrime të larta të grimcave PM2.5 dhe PM10.
Nga aspekti shëndetësor, në fillim të vitit 2024 Instituti i Shëndetit Publik publikoi raportin “Ndotja e ajrit në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe rreziqet ndaj shëndetit”, sipas të cilit pothuajse 18 për qind e vdekshmërisë së përgjithshme në Maqedoninë e Veriut mund t’i atribuohet ekspozimit ndaj përqendrimeve aktuale të grimcave PM2.5.
Të dhënat e fundit nga Agjencia Evropiane e Mjedisit Jetësor (EEA) tregojnë se ajri i ndotur është shkaktar i mbi 5000 vdekjeve të parakohshme në Maqedoninë e Veriut.