Edhe pse nuk është një emër i njohur në media, Bujana Malaj është një shkrimtare nga Tropoja, e cila ka botuar tre libra me poezi që ja ka dedikuar pikërisht vendlindjes së saj. Këtë të martë ajo ishte e ftuar në programin e pasdites në Tv Klan, ‘Rudina‘, ku ka folur për librin e saj të fundit ‘N’krahanuer tem pushon Tropoja’, ndërsa tregoi edhe për jetën e saj të vështirë.
Prej 23 vitesh, Bujana jeton në Angli, teksa për moderatoren Rudina Magjistari, ajo rrëfeu se rruga e saj nuk ka qenë shumë e lehtë, pasi në një moment të vështirë, ajo është detyruar të largohet nga Shqipëria së bashku me tre fëmijët e saj.
“Unë jam larguar me tre fëmijët e mi. Bashkëshorti qëndroi këtu. Vajtëm si çdo shqiptar tjetër, si kosovarë u paraqitëm. Kam shkuar për arsye të tjera familjare se doja që fëmijët e mi të kishin një jetë më të mirë. Jo më të mirë, por më të sigurt se ashtu i kishim rrethanat familjare.
Ne kemi punuar shumë gjatë me tregti këtu. Në vitin ’90 kemi hapur të parët tregtinë këtu në rrethin e Dibrës. Jemi shumë të njohur, pavarësisht fatkeqësisë që na ndodhi nga tregtia. Ajo më bëri të marr fëmijët dhe të iki në mërgim. Pavarësisht çdo gjëje.
Nuk njihja as botën as gjë prej gjëje, u detyrova dhe ika me skafe dhe maune. Të flasësh për emigrimin tim jo një emision, por qindra emisione po të bëj nuk i realizon dot ato udhëtime që kemi bërë ne në atë kohë. Kam bërë tre muaj nga Durrësi, që kam ikur me traget dhe jam rikthyer disa herë dhe tre muaj nëpër Europë derisa kam arritur në Angli” – rrëfeu shkrimtarja mes dhimbjesh për emisionin ‘Rudina’ në Tv Klan.