Mediat italiane kanë paralajmëruar se “Lufta e Tretë Botërore” mund ta ketë pikënisjen në Veri të Kosovës.
“Il Tempo” e Italisë shkruan se konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës ka cënuar çdo lloj marrëdhënieje mes Perëndimit dhe Moskës, por situata ende nuk ka degjeneruar në një konflikt me përmasa globale.
Gjë që mund të ndodhë nga çasti në çast në një tjetër pikë të nxehtë, atë të Kosovës. Oleg Starikov, kolonel i Shërbimeve të Sigurisë së Ukrainës, në programin e transmetuar në kanalin
“Po, ashtu është”, u ndal në përplasjen mes Prishtinës dhe Serbisë:
“Nuk do të ketë ngrirje në Kosovë. Nëse krahasojmë konfliktin rajonal ukrainas në versionin serb ky konflikt nëse ndizet, do të ketë pasoja globale. Mund të bëhet vërtet një luftë e tretë botërore, tashmë konvencionale. N.q.s do të na duhet të bëjmë një krahasim midis luftës Ukrainë-Rusi dhe një lufte të mundshme midis Serbi-Kosovë mund të themi se në Ukrainë kemi një konflikt të armatosur, por një luftë të kontrolluar nga komunitetit perëndimor. Për më tepër dhe Kina së bashku me Indinë po i kushtojnë vëmendje. Kjo kuptohet shumë qartë nga reagimi që patën këto vende kur lideri rus foli për përdorimin e energjisë bërthamore, ku kryeministri i Indisë Modi tha se nuk ishte aspak dakord me një gjë të tillë. Siç e thashë ka një konflikt po është i qeverisur.”
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg në lidhje me luftën midis Rusisë dhe Ukrainës theksoi se gjëja e rëndësishme është që konflikti të mos shkojë përtej Ukrainës.
Starikov, pas analizave të kujdesshme, sheh një situatë shpërthyese për Perëndimin për shkak të tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, një përplasje që do të ketë përfshirjen e kombeve të ndryshme botërore, me një profeci të hidhur:
“Nëse aty fillon një konflikt ushtarak, ky konflikt do të shpërthejë në të gjithë zonën e Ballkanit. Në fakt, mund të ketë një luftë botërore. Rusia do të duhet të ndërhyjë pa vonesë për të furnizuar me armë serbët, të cilët do të duhet të përdorin operacionet ajrore për të hyrë në Kosovë. Situata në atë zonë është shumë serioze. Për këtë arsye perëndimi tani po forcon sistemin e mbrojtjes ajrore të krahut të tij lindor. Ndërsa gjermanët u japin dronë polakëve. Të gjithë e kuptojnë në mënyrë të përsosur se ku mund të na çojë e gjithë kjo. Nëse fillojnë operacionet ajrore, do të kemi në qiell tufa prej 50-60 dronësh, do të hapin sistemet e mbrojtjes ajrore dhe asaj raketore. Do të ketë një luftë të hapur në teatrin evropian të operacioneve. Nuk do të jetë vetëm Rusia. Bjellorusia do të përfshihet dhe kinezët do të jenë të pranishëm”, nënvizon Starikov.
Çdo orë që kalon kriza mes dy vendeve ballkanike thellohet.
Ushtria serbe në gatishmëri të lartë
Pak ditë më parë ministri serb i Mbrojtjes foli me tone të ashpra dhe kërcënuese që jepte imazhin sikur konflikti i Serbisë me Kosovën ishte gati para shpërthimit ushtarak. “5000 forca speciale të ushtrisë serbe po vendosen në gjendje luftarake. Deri në fund të vitit 2023 ato do të jenë të gjitha të gatshme për luftë. Ato do të jenë grushti ynë më i fuqishëm dhe do të shkatërrojnë qëllimet e këqija të atyre që nuk e duan vendin tonë”, tha Vuçeviç gjatë vizitës së trupave serbe në kufirin me Kosovën.
Ky është përshkallëzimi më i fortë i situatës në Kosovë prej vitesh e megjithatë është ende shumë e pamundur që forcat luftarake serbe do tentojnë të hyjnë në Kosovë. Aty janë stacionuar 3500 ushtarë të NATO-s të misionit të KFOR-it që kujdesen për sigurinë në vend. Edhe presidenti serb, Vuçiç e shmang deri tani fjalën “sulm”.
Ai flet në vend të kësaj për një masë defensive. “Ne bëjmë gjithçka, që të ruajmë paqen dhe stablitetin. Por pasi shqiptarët janë armatosur dhe veprojnë kundër popullit tonë, ne do të bëjmë gjithçka, që të mbrojmë serbët në veri të Kosovës” u shpreh ai.
Edhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, theksoi se mbështet dialogun ndërmjet të gjitha palëve për të zbutur tensionet në veri të vendit. “Është e rëndësishme që të gjitha palët e përfshira të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën”, tha komandanti i Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Angelo Michele Ristuccia.