“Shkoni n’rrotë t’s…”, pronari i kompanisë ‘Erona’ nervozohet keq pas arrestimit të dy punëtorëve, thotë se s’është shefi

min lexim

Kompania turistike ‘Erona’ në Lipjan është futur në telashe si pasojë e dy punëtorëve. Një shofer i autobusit dhe një punëtor tjetër i mitur përfunduan në prangat e Policisë të shtunën pasdite, nën dyshimet se e sulmuan shoferin e një kompanie tjetër. Motivi lidhet me një konflikt në trafik dhe rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

Gazeta raportoi se të arrestuarit për këtë rast janë Arben Fazliu dhe i mituri S.F.

Për të marrë një version të ngjarjes, mediumi ka kontaktuar kompaninë në fjalë, në numrin që është i vendosur në faqen e kompanisë në Facebook.

Në numrin kontaktues është përgjigjur Mentor Fazliu, i cili ka qenë pronar i kompanisë, por që sot e mohoi se vazhdon ta udhëheqë kompaninë, duke dhënë përgjigje kundërthënëse gjatë bisedës me redaksinë.

I revoltuar për telefonatën, ai ka shpërthyer edhe në sharje, ndërsa është përgjigjur në emër të kompanisë, por duke thënë se s’është pronar.

Fazliu, i cili kishte përfunduar në Polici vitin e kaluar për kanosje, në cilësinë e pronarit të kompanisë ‘Erona’ disa herë u shpreh se s’është pronar, edhe pse numri i tij është në faqen e kompanisë.

“Qaq po ju intereson juve a? Po…n’rrotë t’sames. S’jam në Kosovë unë, jom në Athinë. S’kom kompani. Kërkush hiç s’e ka. Numri jem u kanë…këtë numër tjetër kush e ka. E kom ble unë këtë numër në postë. Po çka po të intereson more tye, çka po të intereson tye. Jo, s’jam (pronar). S’e njoh kush është pronar. Nuk më intereson kush është. Po çka të lidhë tye si gazetare me rastin, çka… Hë..? Shko në Polici merre.”

Por, ndonëse tha se nuk është pronar i kompanisë, çuditërisht ishte në dijeni për disa detaje të rastit, duke thënë se personi i dyshuar është liruar ditën që u arrestua

“U lëshu qatë natë, u lëshu, mos e baj gajle se u lëshu të natë. U lëshu, u lëshu, mos e baj gajle, baje gajlen tane, ha bukë najkun e ha najsen…Jo s’jam (pronar), s’jam, po ty s’të intereson çka jam unë, këqyri punët e tua. S’e njoh kush është Arbeni. Kom ni që e kanë lëshu, s’pe njoh..” – tha ai në fund dhe nuk është përgjigjur më.

Arrestimin dhe ndalimin e dy të dyshuarve e ka konfirmuar gjatë ditës së djeshme edhe nga Policia Rajonale në Prishtinë.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovar (njëri i mitur) pasi që të njëjtit dyshohet se pas një mosmarrëveshje në trafik, e kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar si prova materiale tri shufra metalike. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.”

Incidenti ka ndodhur te rrethrrotullimi në Lakrishte në Prishtinë, ku dy të dyshuarit, punëtorë të kompanisë ‘Erona’ u kapën me shoferin e kompanisë turistike ‘Memi Reisen’.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se shoferi i autobusit të kompanisë ‘Erona’ bashkë me punëtorin e mitur, e kanë sulmuar fizikisht viktimën me grushte dhe me shufër metalike.

Pala e dyshuar, në bazë të informacioneve të para është futur në sherr me shoferin e kompanisë tjetër pasi fillimisht dyshohet se ia kanë zënë rrugën e më pas i kanë hyrë dajak viktimës.

Posa rasti është denoncuar, njësitë përkatëse kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë gjetur dhe konfiskuar si prova materiale tri shufra metalike.

Story i mëparshëm

Mos i trajtoni fëmijët si të paaftë!

Story i radhës

Vjetërsimi i lëndës ku Gruevski u dënua për blerjen e Mercedesit, VLEN fajëson BDI-në

Të fundit nga