Të paktën 10 persona janë konfirmuar të vdekur pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7.4 që goditi Tajvanin.
Ndërsa numri i viktimave po rritet, bëhet e ditur se ekipet po punojnë për të shpëtuar ata që kanë mbetur të bllokuar nga rrënojat.
Kjo pasi lëkundjet e forta kanë shkaktuar të paktën nëntë rrëshqitje dheu në të gjithë vendin duke lënë të bllokuar shumë qytetarë, shkruajnë mediat e huaja.
Gjithashtu, nga tërmeti më i madh i regjistruar këto 25 vitet e fundit në ishull më shumë se 1,000 njerëz të tjerë kanë pësuar lëndime.
Përveç lëndimeve fizike, dëshmitarët e lëkundjeve të forta kanë mbetur “të tmerruar” sa që nga frika po detyrohen të flenë në tenda jashtë shtëpive ose në strehimore.
Tërmeti ka shkaktuar paralajmërime edhe për cunami të mundshëm në ishull dhe vendet fqinje përreth tij.
Ndërkohë, së fundmi nga një tërmet me magnitudë 6 është goditur edhe Japonia, ka njoftuar Qendra Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare.