Shkollim profesional për të mos ia mësy kurbetit / Biznesi ankohet për punëtorë, të rinjtë duan të krijojnë bizneset e veta

Nxënësit e shkollave të mesme profesionale “Dimitar Vllahov” dhe “Shaip Jusuf” po garojnë për t’i treguar shkathtësitë e tyre për qethje dhe rregullim flokësh.

Për dallim nga shumë moshatarë të tyre që mësyjnë mërgimin, disa nga nxënësit me të cilët folëm këtu na thanë se duan të qëndrojnë në vend dhe të hapin biznesin e tyre.

“Është një profesion që mund të japësh gjithçka prej vetes dhe e don atë që e punon. Kisha pas dëshirë që të hapë biznesin tim, të studioj më shumë, të bëjë punën time të mos mbetem gjithë punëtore, por edhe nëse mbetem, e di se do ia vlejë”, tha Alejna nxënëse në “Dimitar Vllahov”.

“Motivimi për të punuar këtë punë është nga ajo që jemi të përgatitur shumë mirë nga ana e profesorëve dhe mentorët me të cilët jemi në mësim praktik që na japin dituri dhe energji shtesë të punojmë atë që duam. Planifikoj të qëndroj këtu dhe të punoj atë që dua”, tha nxënësi Darko.

“Para se gjithash ne kemi praktikë në shkollën tonë, kemi orë. Do të qëndrojmë këtu, do të jemi parukierë profesionistë dhe do të hapim studion tonë”, tha Jasin, nxënës në Shaip Jusuf.

Drejtoresha e shkollës “Dimitar Vllahov”, Jasminka Gudomanova thotë se po përpiqen maksimalisht t’i nxisin të rinjtë të ndjekin mësimin profesional sepse siç u shpreh, ka mungesë të fuqisë punëtore në lëminë e parukierisë.

“Ajo që ne po përballemi si shkollë është deficit i kuadrit. Këtë na e thonë edhe punëdhënësi, respektivisht shoqëria e biznesit sepse vazhdimisht janë në kërkim të fuqisë punëtore. Ndjehet mungesa e fuqisë punëtore. Sa i përket interesimit të nxënësve për profilin mësimor – parukier, përpiqemi viteve të fundit, t’i rikthejmë nxënësit të cilët shprehin dëshirën të tregojnë kreativitet në lëmin e tyre”, tha Jasminka Gudomanova, drejtoreshë e Shkollës së mesme “Dimitar Vllahov”.

Drejtoresha ekzekutive e dhomës së zanatçinjve, Aneta Atanasovska, shpreh keqardhje që pothuajse çdo i ri i cili diplomon, punën e parë që e bën është ta merr rrugën e mërgimit.

“Definitivisht problemi më i madh i së tashmes është migrimi dhe ikja jashtë vendit. Pjesa më e madhe e nxënësve të cilët përfundojnë arsim profesional, rrugën e shohin jashtë kufijve të vendit tonë. Me këto ngjarje që i organizojmë së bashku me seksionin e parukerisë në Shkup, me anëtarët tanë, duam t’i frymëzojmë fëmijët të kyçen në tregun e punës në shtetin tonë, të gjejnë vend pune ose të vetëpunësohen me çka do ta sigurojnë të ardhmen e tyre”, tha Aneta Atanasovska, drejtoreshë Ekzekutive e dhomës së zanatçinjve.

Të rinjtë e shkollave profesionale, përveç teorisë, bëjnë edhe praktikë në vende të ndryshme. Përndryshe papunësia në tremujorin e fundit të vitit të kaluar është 14%. Nga popullsia aktive në RMV mbi 112 mijë janë të papunë.

Burimi: TV21

Story i mëparshëm

Pse fëmijët e parë lindin më inteligjentë se të tjerët?

Story i radhës

Papa bën thirrje për ndalimin e dhunës në Sudan

Të fundit nga