Udhëheqësit e shkollave fillore në komunën e Dibrës kanë kërkuar nga pushteti vendor të realizojnë së bashku aktivitete konkrete me qëllim që më të përgatitur të presin dimrin për të cilin ka vlerësime se do të jetë një dimër shumë i rëndë për shkak të krizës ekonomike. Ky vlerësim u dha në seancën e Këshillit të komunës në të cilin u miratuan raportet dhe programet e punës për tre shkollat fillore të komunës Dibër.
Drejtori i shkollës fillore “Penestia”, Ajet Mullarexha para këshilltarëve potencoi se patjetër duhet të ndërmerren aktivitete konkrete nga ana e drejtorive të shkollave dhe udhëheqësia e pushtetit vendor me qëllim që të mos paraqiten probleme gjatë sezonit dimëror sidomos në aspektin e sigurimit të rrymës elektrike.
“Ne edhe me këta kushte nuk kemi mjete të mjaftueshme për pagesën e faturave për rrymë elektrike dhe shpesh herë pagesat bëhen me përkrahje edhe të komunës Dibër. Kjo do të thotë se rritja e çmimit të rrymës elektrike mund të sjell probleme të mëdha në shkollat e Dibrës. Prandaj, është koha e fundit që të merren masa dhe aktivitete të menjëhershme për sigurimin e mjeteve që mësimi të vijojë pa probleme edhe gjatë sezonit dimëror”, ka theksuar para këshilltarëve drejtori i kësaj shkolle Ajet Mullarexha.
Ai potencoi se shkolla realizon shumë projekte e veçmas për efikasitetin energjetik të objekteve , por kjo nuk do të thotë se pa rrymë elektrike mund të zhvillojmë një mësim me standarde të nevojshme. Shqetësime rreth mungesës të mjeteve në lidhje me shtrenjtimin e rrymës elektrike prezantuan edhe udhëhqësit të dy shkollave të tjera “Said Najdeni” dhe “Riste Ristevski”. Nëndrejtori i shkollës “Said Najdeni”, Arsim Miftari tha se është një problem serioz rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe pagesa e faturave, prandaj siç tha ai, drejtoritë e të tre shkollave me të drejtë kërkojnë mjete plotësuese për pagesën e rrymë elektrike.
Në seancën e këshillit një vend të veçantë pati edhe sigurimi mjeteve moderne për realizimin të procesit edukativo arsimor në shkollat e Dibrës. Sidomos u cek problemi i mungesës të pajisjeve elektronike. Pothuajse në të tre shkolla mungesa e këtyre pajisjeve është e madhe dhe këshilltarët e opozitës lokale kërkuan një angazhim më të madh nga drejtoritë e shkollave për sigurimin e mjeteve për pajisje elektronike.
Përfaqësuesit e shkollave poashtu paraqitën edhe shqetësimin me sigurimin e kompjuterëve e sidomos tabletave për nevojat e nxënësve. Ky problem veçmas është prezent në shkollat në vendbanimet rurale ku edhe ka edhe ndërprerje të shumta të internetit. Në seancën e këshillit të komunal u konkludua se angazhimi i drejtorive të shkollave është në nivel e sidomos kënaqin projektet që janë realizuar për tu përmirësuar kushtet në sferën e arsimit si në qytet ashtu edhe në fshatra.