16
Shkup, 3 qershor – Në një vend normal, shkollat ndërtohen nga shteti. Në Maqedoninë e Veriut, ndodhin paradokse të tilla ku shteti mungon për dekada, dhe kur qytetarët marrin situatën në dorë për t’i dhënë fëmijëve të tyre një objekt ku të mësojnë shteti kthehet vetëm për të kërcënuar me shembje. Kjo është e pafalshme dhe e papranueshme, zëvëndësministri i Arsimit nga VLEN, Lulëzim Aliu, ditë më parë garantoi që shkolla nuk do të shembet, sipas tij nevojitet vetëm respektim i procedurave. Por, mbetet të shihet në vijim nëse do të shembet kjo shkollë e ndërtuar me plotë mund e sakrficë apo do të legalizohet, shkruan Zhurnal.
Çfarë po ndodhë me shkollën e ndëruar nga prindërit në Nerovë?
Në një vend normal, shkollat ndërtohen nga shteti. Në Maqedoninë e Veriut, ndodhin paradokse të tilla ku shteti mungon për dekada, dhe kur qytetarët marrin situatën në dorë për t’i dhënë fëmijëve të tyre një objekt ku të mësojnë shteti kthehet vetëm për të kërcënuar me shembje.
Kjo është situata dramatike në fshatin Nerovë të komunës së Tetovës, ku prindërit, të detyruar nga mungesa e kushteve minimale për mësim, kanë ndërtuar vetë një objekt të ri për shkollë. Por, në vend që ky akt qytetar të përshëndetet dhe mbështetet nga autoritetet, institucione të ndryshme të njëpasnjëshme e kanë vënë në shënjestër objektin si “ndërtim pa leje”, duke paralajmëruar edhe shembjen e tij.
Në një intervistë për TV Shenja, Avokati i Popullit, Naser Ziberi, është shprehur qartë dhe me përgjegjësi institucionale:
“Objekti i ri nuk guxon dhe nuk duhet të shembet. Përkundrazi, institucionet edhe komuna edhe pushteti qëndror duhet të kontribuojnë në përfundimin e punëve që ai objekt të vihet në përdorim e jo të shembet”, tha Naser Ziberi.
Është një deklaratë që meriton të vendoset në qendër të opinionit publik, sepse shpreh një të vërtetë themelore e drejta e fëmijëve për arsim është më e rëndësishme se çdo procedurë burokratike. Nëse institucionet do të kishin zbatuar ligjin në mënyrë të drejtë, shkolla e Norovës do të ishte ndërtuar prej kohësh. Mosveprimi i tyre është shkelja e parë ligjore ndërsa reagimi qytetar për ta zëvendësuar këtë boshllëk është akti më i lartë i ndërgjegjes kolektive.
A jemi të vetëdijshëm për mesazhin që po u japim brezave të rinj?
A u themi fëmijëve të Norovës se nuk kanë të drejtë të mësojnë, sepse shteti nuk i ka legalizuar muret që i kanë ngritur prindërit e tyre? Dhe ndërkohë, i lejojmë legalisht të funksionojnë qindra kazino e bastore në çdo cep të vendit?
Ky nuk është vetëm problem i Norovës. Ky është një simptomë e sëmurë e sistemit arsimor dhe institucional në vend mungesë e përgjegjësisë, arrogancë burokratike dhe shpërfillje për të drejtat elementare. Çdo ligj që kthehet në pengesë për fëmijët nuk është më ligj, por absurditet.
Po flasim për një komunitet që ka vepruar për të ndërtuar jo një pallat, jo një vilë me pishinë, por një shkollë. Dhe kjo, jo për luks, por për nevojën më themelore arsimin e fëmijëve. Dhe në vend të falënderimit, përballen me ndalesa, paralajmërime dhe pasiguri. Ndërsa institucionet qendrore dhe lokale vazhdojnë me “kompetenca të ndara” që nuk prodhojnë as zgjidhje, as përgjegjësi.
Në këtë rast, është detyrë e shtetit jo të shembë, por të ndërtojë. Jo të ndëshkojë prindërit, por t’i mbështesë ata. Jo të heshtë përballë një akti qytetar, por ta legalizojë dhe përqafojë atë. Dhe më e rëndësishmja të garantojë që asnjë fëmijë në këtë vend të mos mbetet pa shkollë, për shkak të një neni, një firme apo një mungese vullneti politik.
Sot është Nerova. Nesër mund të jetë një tjetër fshat, një tjetër qytet, një tjetër komunitet i harruar. Dhe çdo herë që shteti dështon të jetë aty ku duhet, e vetmja mënyrë për të ruajtur humanitetin është që shoqëria të marrë përgjegjësi, edhe kur kjo nënkupton sfidimin e një ligji të padrejtë. Në fund të fundit, më mirë një shkollë “pa leje” që prodhon dijeni dhe të ardhme, sesa qindra kazino “me leje” që prodhojnë varfëri dhe shkatërrim. /Zhurnal.mk
BURIMI: zhurnal.mk