Në shkollën fillore “Njegosh” të komunës Gazi-Babë edhe këtë vit të ri shkollor nuk do të ketë mësim shqip nga klasa e gjashtë deri atë të nëntë. Këtë e pranoi për Alsat ministrja e re e Arsimit, Vesna Janevsa duke shtuar se periudha kohore është shumë e shkurtër për të shqyrtuar dhe për të kthyer në rrugë të drejtë procedurat që do të mundësonin mësimin shqip në Idrizovë.
“Fatkeqësisht, këtë vit fëmijët do të vazhdojnë të mësojnë atje ku kanë mësuar deri më tani. Nëse procedurat janë bërë në mënyrë legale ato do të vazhdojnë, nëse jo mund të hapet procedurë e re. Gjithsesi do i kushtoj vëmendje, mirëpo në vitin e ri shkollor sërish do të mësojnë në Çair”, deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.
Ndërkohë, sa i përket çështjes së mësimit në Cashkë, Janevska theksoi se ka vetëm një përparim të vogël në këtë drejtim – mësim shqip do të ketë por në një objekt modular, që pritet të ndërtohet para fiullimit zyrtar të vitit shkollor. Modulari do të jetë në fshatin Banjicë, dhe jo në rajonin ku mësonin deri tani nxënësit në gjuhën maqedonase.
“Çfardo që ka ndodhur në të kaluarën është e parëndësishme. Kjo ministri, nën drejtimin tim do t’i respektojë ligjet. Të gjithë ata që kanë fituar të drejtat do t’i realizojnë ato. Konkretisht, në fshatin Banjicë do të ndërtohet shkollë modulare që fëmijët të mësojnë në gjuhën shqipe deri në periudhën kur shkolla e re nuk ndërtohet, ashtu si¬ç kanë thënë, siç kanë kërkuar dhe siç janë pajtuar kryetari i komunës, këshilli dhe prindërit, në nivel lokal. Në këtë moment, në Qeveri ka kaluar dokumentacioni i duhur dhe është dhënë leja për ndërtim”, shtoi Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.
Paralelja e parë në objektin modular, sipas ministres së re, do të fillojë në gjuhën shqipe ndërsa për paralelet e tjera, varet nga ajo çfarë kanë firmosur prindërit.