Edhe pse ka vendim të Inspektoratit të Arsimit, vendim të shkallës së dytë, vendim të Këshillit të Shkollës dhe vendim të Gjykatës, Teuta Ademi vazhdon të mbetet jashtë vendit të punës që ajo pretendon se e meriton.
Në një deklaratë për Klan Maqedoni, Ademi nënvizon se drejtori i shkollës fillore “Liria” në Zherovjan vazhdon të mos përfillë institucionet dhe në mënyrë të jashtligjshme ka hapur konkurs, përderisa ka proces gjyqësor.
“Tani ka ardhur një vendim në favorin tim dhe në bazë të vendimit të Këshillit të Shkollës, si organi më i lartë, unë zgjidhem si mësimdhënëse në po të njëjtën shkollë. Megjithatë, drejtori, me urdhër të kryetarit të Komunës së Bogovinës, Besnik Emshiut, ka zgjedhur kundërkandidaten Nakije Hyseini, vetëm pse ajo është këshilltare komunale,” tha Teuta Ademi për Klan Maqedoni.
Ne vizituam edhe drejtorin e shkollës fillore “Liria” në Zherovjan, Samet Dervishi, i cili duhej të jepte përgjigje se si gjatë procesit gjyqësor ka hapur në mënyrë të jashtligjshme konkurs për të njëjtin vend pune.
“ Është fakt që ka vendim gjyqësor, për të cilin unë nuk kam ndikim, dhe në momentin që do të bëhet ky vendim i plotfuqishëm, unë do të veproj në bazë të atyre vendimeve dhe do të respektoj ligjin. Zonja Teuta Ademi do të kthehet menjëherë. Konkursi, siç thashë, nuk është i tashëm dhe akoma vazhdon procesi gjyqësor. Për të mos humbur nxënësit, është hapur konkursi. Ky proces nuk ka pasur ndikim nga kryetari i komunës dhe nëse unë kam bërë shkelje dhe organet e hetuesisë do të sjellin ndonjë vendim, unë do ta respektoj deri në fund,” tha Samet Dervishi, drejtor i shkollës “Liria” Zherovjan.
Edhe kryetari i Komunës së Bogovinës, Besnik Emshiu thotë se vendimi I gjykatës do të rrespektohet kur I njejti të bëhet I plotëfuqishëm.
“Jemi në proces gjyqësor dhe vendimi që do të jetë nga gjykata, në fakt, ka ardhur. Në momentin që ai bëhet i plotfuqishëm, ne do të veprojmë në bazë të atij vendimi. Nëse gjykata thotë ta largojmë drejtorin, ne do ta largojmë drejtorin, ndërsa për kandidatët, sido që të thotë gjykata, ashtu do të vendosim. Shkolla ka drejtor dhe unë nuk kam asnjë lloj ndërhyrje në procesin e përzgjedhjes,” tha Besnik Emshiu, kryetar i Komunës së Bogovinës.
Pavarësisht vendimeve të institucioneve tjera të inspektorijatit të arsimit dhe komisioni I shkallës së dytë që janë në favor të Teuta Ademit, drejtori vazhdon të mos e kthej në punë të njejtën me pretendimin se pret edhe fuqizimin e vendimit gjuyqësor nga padia private që ka bërë Ademi. /tvklan.mk
Burimi: TV KLAN