Shkëmbim zjarri në Mynih pranë një muzeu dhe konsullatës së Izraelit, policia vret sulmuesin

min lexim

Policia gjermane shkëmbeu zjarr me një person të enjten në afërsi të një muzeu që dokumenton historinë e Mynihut si vendlindje të lëvizjes naziste dhe afër konsullatës së Izraelit në këtë qytet. Sipas policisë, sulmuesi vdiq nga plagët e marra. Autoritetet gjermane nuk e kanë bërë të ditur identitetin e tij dhe thanë se motivet e sulmit mbesin të paqarta.

Autoritetet në Gjermani thanë se policia u njoftua në orët e hershme të mëngjesit të enjten për një person të armatosur me, siç thanë ata, një “armë të gjatë” pranë sheshit Karolinenplatz, në afërsi të qendrës së Mynihut.

Sipas zëdhënësit të policisë nuk ka njoftime për të plagosur të tjerë gjatë këtij incidenti.

“Rreth orës 9 të mëngjesit një person i armatosur me armë të gjatë është parë këtu pranë. Shërbimet emergjente u njoftuan. Më pas erdhi deri tek shkëmbimi i zjarrit me këtë person, gjatë të cilit ai vdiq,” deklaroi zëdhënësi i policisë së Mynihut, Andreas Franken.

Policia nuk dha detaje të tjera rreth identitetit apo motivit të dyshuarit. Sipas tij, i dyshuari kishte një armë zjarri të modelit të vjetër, me një mekanizëm për të shtëna të njëpasnjëshme.

Policia tha se nuk ka dëshmi për përfshirjen e ndonjë të dyshuari tjetër dhe njoftoi se ka shtuar praninë në rrugët e qytetit.

“Nuk kemi shenja që ka sulmues të tjerë apo që ka ndonjë rrezik tjetër që i kanoset publikut”, tha zëdhënësi Franken.

Mbetet e paqartë nëse incidenti është i lidhur me përvjetorin e 52 të sulmit të militantëve palestinezë ndaj ekipit izraelit në vitin 1972 gjatë Lojërave Olimpike në Mynih, gjatë të cilit u vranë 11 pjestarë të ekipit izraelit, një polic gjerman dhe pesë nga sulmuesit.

Pas incidentit, Presidenti izraelit Isaac Herzog bisedoi me homologun e tij gjerman Frank Walter Steinmeier dhe dyja palët e dënuan incidentin, sipas një postimi në platformën X.

Ministrja gjermane e punëve të brendshme, Nancy Faeser e përshkroi sulmin me armë zjarri si “një incident serioz” por nuk spekuloi më tej.

Ajo theksoi se se “mbrojtja e objekteve hebreje dhe izraelite është përparësia më e lartë.”/VOA

Burimi: botasot.info

Story i mëparshëm

Osmani: Kosova dhe Finlanda janë partnere të palëkundura, do të vazhdojmë angazhimin për forcimin e raporteve

Story i radhës

Mediumi zviceran: Cilat janë gjasat e Xhakës?

Të fundit nga