Ministri i Jashtëm i Kinës, Qin Gang, gjendja e të cilit ishte çështje kurioziteti pasi nuk ishte shfaqur në publik për një kohë, është shkarkuar, ndërsa në vend të tij është emëruar Wang Yi, drejtori i Komisionit për Marrëdhënie të Jashtme pranë Partisë Komuniste Kineze (CCP), transmeton Anadolu.
Agjencia e lajmeve Xinhua raportoi se sipas vendimit të marrë në sesionin e katërt të Komitetit të Përhershëm të Kongresit të 14-të Popullor Kombëtar, janë ndërruar ministri i Jashtëm dhe kreu i Bankës Qendrore.
Komiteti ka shkarkuar ministrin Qin Gang, i cili nuk është shfaqur në publik për një kohë, duke emëruar në vendin e tij, Wang Yi. Gjithashtu Komiteti ka shkarkuar nga detyra edhe kreun e Bankës Qendrore, Yi Gang, ndërsa në vendin e tij e ka emëruar Pan Gongsheng.
Presidenti kinez Xi Jinpining ka miratuar vendimet dhe ka nënshkruar dekretin presidencial. Ndërkaq, kryediplomati kinez nuk ka bërë ndonjë deklaratë rreth gjendjes së ish-ministrit.
– Qin Gang nuk është shfaqur në publik prej kohësh
Në një kohë kur kontaktet diplomatike të Kinës u shtuan, tërheq vëmendjen se ministri i Jashtëm, Qin Gang, i shkarkuar sot, nuk është shfaqur para publikut që nga 25 qershori. Ai u emërua në këtë post në dhjetor të vitit 2022 ndërsa nuk është shfaqur në publik pas konferencës për media më 25 qershor, pas takimit të tij me zyrtarë nga Sri Lanka, Rusia dhe Vietnami në Pekin.
Pretendohej se debatet në rrjetin social kinez Weibo rreth mungesës së ministrit ishin censuruar. Gazetari dhe analisti Phil Cunningham theksoi se 5 paragrafe të një artikulli që ai ka shkruar për “South China Morning Post” rreth marrëdhënieve SHBA-Kinë, ishin tërhequr pa e njoftuar atë.
Ekspertët kinezë pretendojnë se marrëdhënia e Qin Gang me një prezantuese të Hong Kongut mund të jetë shkaku prapa situatës në fjalë.
Në vend të Qin Gang, në mbledhjen e 56-të të Ministrave të Jashtëm të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), që u mbajt midis 11-14 korrik në kryeqytetin e Indonezisë, Xhakartë, mori pjesë Wang Yi, drejtori i Komisionit për Marrëdhënie të Jashtme pranë Partisë Komuniste Kineze.
Ndërsa për mospjesëmarrjen e Qin Gang në ASEAN ishte theksuar se ka ndodhur për shkak të problemit shëndetësor. Ai gjithashtu nuk mori pjesë në takimin e Xi Jinping me sekretaren amerikane të Thesarit, Janet Jellen më 6-9 korrik si dhe me kryeministrin e Ishujve Solomon, Manasseh Sogavare më 10 korrik.
Vizita e planifikuar e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, më 10 korrik në Pekin ishte anuluar.