Sot përfundoi me sukses dhe në mënyrë paqësore protesta jonë para Ambasadës së Maqedonisë në Romë, ku mbi 100 mërgimtarë, u mblodhëm për të kundërshtuar vendimin e padrejtë të qeverisë së Maqedonisë së Veriut për shkarkimin e ambasadorit Vesel Memedi. Policia italiane ishte prezente, duke siguruar që gjithçka të kalojë qetësisht. Ne dërguam mesazhin tonë të qartë dhe të fuqishëm te institucionet italiane dhe maqedonase.
Fatkeqësisht, me këtë protestë, vendi ynë u turpërua në sytë e Italisë, po përgjegjësinë le ta mbajë shteti maqedonas.
Fjalimi i Protestës:
E nderuara diasporë, të nderuara shoqata, të nderuar përfaqësues të mediave,
Me indinjatë të thellë pranuam lajmet jozyrtare nga vendlindja se ambasadori ynë, Shkëlqesia e tij Vesel Memedi, është penguar të përfundojë misionin e tij në Republikën Italiane nga qeveria e re e Maqedonisë së Veriut. Ne, si shoqata të organizuara në Itali, kemi më shumë se një muaj që i drejtuam Ministrisë së Punëve të Jashtme kërkesën për një sqarim, por sot e kësaj dite nuk kemi marrë asnjë përgjigje.
Për shkak të këtij injorimi ndaj diasporës sonë të përkushtuar, u detyruam të mblidhemi sot këtu, për të shprehur pakënaqësinë tonë me trajtimin që na bëhet. Ne e dijmë se ambasadori është përfaqësuesi më i lartë diplomatik i shtetit tonë. Sot, përfaqësimi ynë në Romë nuk ekziston, sepse dikush në vendlindje ka vendosur që Ambasada mund të funksionojë edhe pa të. Ne e dimë shumë mirë që kjo është gjëja më e keqe që mund të na ndodhë, pasi nuk ka një tjetër autoritet që mund të mbrojë të drejtat tona si qytetarë maqedonas në Itali.
Kjo situatë na kujton periudhën para vitit 2022, kur për pesë vite Ambasada jonë ishte pa ambasador, dhe diaspora jonë mbeti pa përfaqësim. Sot, historia po përsëritet. Ambasadori Memedi, i cili ka treguar një profesionalizëm të lartë dhe ka bërë shumë për ne, largohet padrejtësisht para përfundimit të mandatit të tij.
Ne si diasporë shprehim mbështetjen tonë të plotë për ambasadorin Memedi. Ai jo vetëm që ka mbrojtur interesat tona, por na ka motivuar të kontribuojmë më shumë për vendlindjen. Fatkeqësisht, motivimi ynë po zhduket, sepse shteti ynë, si gjithmonë, largon njerëzit më të mirë që ka.
Për fund, kërkojmë nga autoritetet në Maqedoninë e Veriut të mos na lënë pa përfaqësim. Ambasadori Vesel Memedi duhet të përfundojë mandatin e tij dhe të kthehet në detyrë derisa të emërohet një pasues i ri. Kjo që po ndodh sot këtu nuk është një vlerë evropiane e përfaqësimit diplomatik. Duhet të sillemi si evropianë!
Ju faleminderit për pjesëmarrjen.
Protesta jonë tregoi edhe një herë rëndësinë e përfaqësimit të drejtë të diasporës në Itali. Pavarësisht rezultatit, ne jemi të vendosur të vazhdojmë betejën tonë për të mbrojtur të drejtat tona dhe për të siguruar që zëri ynë të dëgjohet nga autoritetet në vendlindje. Diaspora në Itali do të mbetet e bashkuar dhe e vendosur për të kërkuar të drejtën e saj.
Burimi: TV KLAN