Angela Vasia, vajza e artistit të famshëm shkodran Gjosho Vasia ndau sot në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, detaje nga jeta e tij. Gjosho ishte shumë aktiv në skenë, ku arriti të bëhej një humorist mjaft popullor, një mjeshtër i skeçeve humoristike dhe parodisë.
Angela tregoi për vuajtjet dhe peripecitë që ka kaluar si i internuar në kampin famëkeq të Tepelenës dhe njohjen me gjysmën tjetër, shoqen e jetës, Berinën. Ajo u ndal dhe te vendimi që mori i ati në 1990, i cili i nxitur nga situata e kohës, shiti shtëpinë për të blerë dy bileta avioni për të udhëtuar drejt Kanadasë.
“Kur ika në vitin ’90 në Trieste, babai më thotë se dua me gjetur një birë dhe me ik. Nxori në ankand shtëpinë dykatëshe me atë lulishte të bukur që e kishin bërë burrë dhe grua. Emocionohem për mundin e prindërve të mi. Shtëpia u shit për dy bileta avioni.”, tha ajo.
Në vitet e demokracisë, në nëntor të 2008-ës, Gjosho Vasia u vlerësua nga këshilli bashkiak në Shkodër me titullin “Mirënjohja e qytetit” dhe me 16.3.2010 u vlerësua nga Presidenti Republikës Bamir Topi me urdhrin “Mjeshtër i madh”. Së fundmi, një rrugë në Shkodër ka marrë emrin e tij.