Ylli shqiptar me famë botërore, Dua Lipa, ka shënuar një fitore të rëndësishme ligjore për mbrojtjen e emrit dhe markës së saj, pasi një tregtar nga Hong Kongu përdorte identitetin e artistes për të shitur produkte pa autorizim.
Sipas Daily Mail, Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale (WIPO) ka vendosur në favor të këngëtares në çështjen kundër një tregtari të identifikuar si Gary, i cili kishte regjistruar domenin “dualipa-asiastore.com”.
Përmes kësaj faqeje, tregtari shiste veshje, çanta dhe aksesorë me emrin e Dua Lipës, pa pasur lejen e saj. Pas shqyrtimit të ankesës, WIPO konstatoi se domeni ishte regjistruar dhe përdorur në keqbesim, duke urdhëruar transferimin e tij te kompania e artistes.
Ndërkohë, krahas suksesit ligjor, Dua Lipa vijon të regjistrojë rezultate të rëndësishme edhe në aspektin financiar.
Sipas dokumenteve financiare të kompanive të saj, këngëtarja ka gjeneruar rreth 23.4 milionë paund të ardhura nga muzika, të drejtat autoriale, koncertet dhe aktivitetet tregtare. Kompania e saj, Radical22, vlerësohet në rreth 73 milionë paund.
Shifra të konsiderueshme ka regjistruar edhe turneu botëror “Radical Optimism”, i cili gjatë vitit 2025 ka gjeneruar rreth 162 milionë paund të ardhura bruto nga 81 koncerte.
Këto rezultate konfirmojnë suksesin e Dua Lipës jo vetëm në industrinë muzikore ndërkombëtare, por edhe në zhvillimin e aktiviteteve të saj të biznesit.
Burimi: botasot.info


