Gjykata Kushtetuese shfuqizoi pjesën e Metodologjisë së Regjistrimit të Popullsisë 2021 që i referohen popullsisë “rezidente” dhe “jorezidente”, pasi vlerësoi se ato nuk janë në përputhje me vlerën themelore të rendit tonë kushtetues – sundimin e ligjit. Sipas Kushtetueses, vendimi nuk do të zbatohet në mënyrë retroaktive për Regjistrimin e Popullsisë 2021 që tashmë është kryer, por do të vlej që tani e tutje.
“Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës i tejkaloi kompetencat e tij dhe, me një akt nënligjor (Metodologjia), kreu një kategorizim të popullsisë rezidente dhe jorezidente, për të cilin nuk ka autorizim ligjor, sepse Ligji për Regjistrimin e popullsisë, familjeve dhe banesave në Republikën e Maqedonisë 2021 nuk parashikon që kategorizimi i popullsisë të zhvillohet me një akt nënligjor”, thonë nga Gjykata Kushtetuese.
Kushtetuesja sqaroi se për shkak se ky është vendim shfuqizues, e jo anulues, ai do të zbatohet që nga momenti i publikimit në Gazetën Zyrtare. E zëvendëskryeministri Arben Fetai pohon se do të shqyrtohen të gjitha implikimet që janë bërë në ndarjen e bllok-dotacioneve nëpër komuna, banorët e të cilave me shumicë janë në diasporë, por nuk janë llogaritur në ndarjen e fundit të buxhetit.
“Keni parasysh që vendimi i Gjykatës Kushtetuese është publikuar dje, sot jemi në ditën e parë pas atij vendimi dhe duhet që brenda ditëve të ardhshme të konsulltohemi brenda koalicionit qeverisës dhe të reflektojmë mbi pasoja e këtij vendimi. Do të informoheni gjatë ditëve në vijim. Sa i përket projekt Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat nuk preket drejtpërdrejtë nga ky vendim i Kushtetueses duke e ditur se ndarja e popullsisë së përgjithshme në kategoritë rezidente dhe jo rezidente nuk ekziston askund nëpër ligjet e vendit tonë, jemi siguruar që këtë çështje ta lëmë të hapur”, deklaroi Arben Fetai – zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë.
Kryeministri Mickoski i qëndron mbrapa propozimit që për të mos i kontestuar të drejtën e votimit qytetarëve që jetojnë dhe veprojnë në diasporë, të kemi një njësi zgjedhore. Madje ai tha se edhe regjistrimi i popullsisë duhet të bëhet përmes platformës online dhe kryqëzimit të të dhënave nga baza të ndryshe të institucioneve, vetëm 10% popullsisë që ngelet, të regjistrohen në teren.
“Vetëm tek ne regjistrimi i popullsisë shndërrohet në mjet politik, edhe pse atëherë si opozitë dhe tani si pozitë theksojmë se ky është një operacion teknik dhe mos ta ndërlidhim me çështje politike sepse këto të dhëna teknike na orientojnë se si ta zhvillojmë shtetin. Pjesa ime e dytë ishte që mos ta kontestojmë të drejtën e diasporës, siç dikush thotë se i privojmë nga e drejta për të votuar, ja ta bëjmë një njësi zgjedhore dhe të gjitha votat do të grumbullohen në një njësi zgjedhore”, potencoi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Çështja e kalkulimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat do të adresohet me akt nënligjor që është metodologjia për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, e cila pritet të miratohet nga trupi koordinues që do të themelohet pas miratimit të ligjit në Kuvend. Pas miratimit në Qeveri ky projekt ligj pritet që gjatë javës së ardhshme të dërgohet në Komisionin e Venecias për mendim, i cili do të pasohet për procedurë parlamentare në Kuvend.
Burimi: botasot.info