Sulmi terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës është një “shfaqje e shëmtuar që ka lënë shije të hidhur kudo në botë”, thotë ish-ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi.
Sipas tij, histori të tilla duhet të marrin fund dhe përgjegjësit duhet të vendosen para drejtësisë.
Një shpërthim më 29 nëntor dëmtoi kanalin e ujit të Ibër Lepencit në fshatin Varagë të Zubin Potokut, në veri Kosovës.
Autoritetet e vendit e konsideruan sulm terrorist të orkestruar nga bandat kriminale që mbështeten prej Beogradit zyrtar.
Minxhozi: Sulmet në veri janë faqe e errët
“Janë një faqe e errët, janë histori që duhet të marrin fund një herë e përgjithmonë, sepse kemi të bëjmë jo thjesht me cenim të marrëdhënieve që komuniteti ndërkombëtar mundohet të krijojë midis Kosovës dhe Serbisë, por kanë të bëjnë me gjëra më vitale të njeriut, siç janë uji, drita e me radhë. Është një shfaqje shumë e shëmtuar e cila ka lënë shije shumë të hidhur jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, po kudo në botë”, thotë Minxhozi.
Ndër të tjera ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë flet edhe për marrëdhëniet zyrtare Prishtinë-Tiranë për të cilat vlerëson se kanë vend për përmirësim.
Kosova dhe Shqipëria kanë mbajtur javën e kaluar mbledhjen e përbashkët parlamentare ku është theksuar rëndësia e bashkëpunimit në rrugën evropiane.
Por, dy vendet kanë stagnuar sa i përket mbledhjeve ndërqeveritare.
Mbledhja e fundit e dy qeverive ishte paraparë të mbahet në qershor të vitit 2023 por ishte anuluar pas mospajtimeve në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama.
Minxhozi: Ka hapësirë për më mirë në raportet zyrtare Prishtinë-Tiranë
“Janë raporte midis vëllezërish, të cilat avancohen nga dita në ditë, pavarësisht të një pengese që shfaqet aty-këtu, po do të thosha që marrëdhëniet janë shumë të mira, bashkërendimi institucional midis Shqipërisë dhe Kosovës gjithashtu në fushën e ekonomisë, të bujqësisë, të të gjitha aspekteve…Unë e shikoj ecjen në mënyrë progresive, por gjithsesi ka vend e ka hapësirë për të bërë më mirë me përpjekje të dy anshme”, thotë ai.
Minxhozi thotë se Shqipëria duhet ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj euro-atlantike.
Ai thotë se Kosova duhet të jetë sa më parë anëtare e NATO-s.
Minxhozi: Po nuk mbështetëm Kosovën, nuk kemi mbështetur veten tonë
“Po nuk mbështetëm Kosovën, ne nuk kemi mbështetur veten tonë. Kosova dhe Shqipëria janë një dhe Kosova në NATO sa më parë do jetë një kënaqësi shumë e madhe, jo vetëm për shqiptarët e Shqipërisë, jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë hapësirën shqiptare kudo në botë”, thotë Minxhozi.
Kosova synon fillimisht të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe – program i NATO-s që ka për qëllim të krijojë besim në mes shteteve të kësaj aleance dhe të tjerave në Evropë.
Anëtarësimi në PfP konsiderohet parakusht për t’u bërë pjesë e aleancës veri-atlantike.
Prezenca e NATO-s në Kosovë aktualisht është përmes misionit të saj, KFOR.
Burimi: botasot.info