Odesa është identifikuar që nga fillimi i pushtimit si një objektiv kyç – dhe i vështirë – për forcat e Vladimir Putin.
Është qyteti i tretë më i madh i Ukrainës, një qendër e rëndësishme industriale dhe importi. Nëse Rusia mund ta marrë qytetin, atëherë mund ta shkëputë Ukrainën nga deti.
Këtë mëngjes Kay Burley nga Sky News foli me deputetin e qytetit, Oleksii Goncharenko, përcjell “Bota sot”.
Ai përshkroi se si porti jugor po “përgatitej për t’u mbrojtur” pasi anijet ruse u shfaqën në rajon.
Deputeti i parlamentit ukrainas tha se, “morali i njerëzve është shumë i lartë” dhe “ata që nuk janë me armë në dorë po e ndihmojnë ushtrinë me çfarëdo mënyre që munden”.
Z. Goncharenko vazhdoi duke thënë se pas një tentative që u bë për ta vrarë atë nga shërbimi sekret rus, ai mendoi se “nuk kishte kuptim të shqetësohej”.
“Sot të gjithë ukrainasit janë nën sulmin e Putinit dhe ne jemi të gjithë objektivat e tij”, shtoi ai.