Gazetare: Melihate Rustemi
Shumë institucione akoma nuk kanë vullnet që gjuha shqipe të jetë pjesë e funksionimit të tyre, pavarësish që kjo parashikohet me ligj. Kështu thonë nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve duke shtuar se nuk kanë një numër të saktë të institucioneve që nuk zbatojnë këtë vendim por se kanë ofruar ndihmën e kërkuar për zbatimin e gjuhës shqipe.
“Ju kemi ndihmuar të gjitha institucioneve të cilat na janë drejtuar për ndihmë sa I përket përkthimeve të ndryshme, standardizimit të gjuhës, përdorimit të terminologjisë. Në takimet që kemi ne me udhëheqësit e institucioneve, si pengesë që ato më shumë e shprehin, tash a qëndron ashtu a nuk qëndron ajo është tjetër pyetje por si pengesë e parë është mungesa e përkthyesve dhe mungesa financiare për të pasur një njësi përkthimi apo një sektor përkthimi varësisht edhe nga madhësia e institucioni”, deklaroi Ardian Musliu, Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve.
Profesori nga Tirana, Sabri Laçi tha për Alsat të gjithë drejtuesit e institucioneve që mohojnë gjuhën shqipe kanë nevojë për kohë për ta pranuar realitetin dhe të vërtetën.
“Atë që dëshirojnë për përdorimin e gjuhës së tyre duhet ta pranojnë edhe për gjuhët e tjera, në këtë rast për gjuhën shqipe, për gjuhën e një populli që realisht është formues dhe që artikulon një nga gjuhët më të vjetra të botës. Kështu që edhe maqedonasit edhe të tjerët duhet ta kuptojnë se sjellja më e mirë është ajo e aplikuar në vendet demokratike, ne vendet e zhvilluara siç është modeli i Zvicrës apo vende të modeleve tjera në perëndim që kanë shumë gjuhë dhe nuk i privojnë qytetarët e tyre nga mësimi dhe artikulimi i gjuhëve të tyre”, tha Sabri Laçi, profesor nga Tirana.
Profesori nga Prishtina, Qëndrim Morina tha se shqipja çdo ditë e më shumë po shtrembërohet dhe ndikohet nga gjuhët e huaja.
“Jo doemos shtrembërim kur ne nuk I kemi fjalët gjegjëse në gjuhën tonë, mirëpo kur ne I kemi fjalët gjegjëse në gjuhën tonë atëherë pse ti marrim fjalët e gjuhëve të tjera. Një problem tjetër e kemi zhvillimin e madh të teknologjisë dhe të rrjeteve sociale të cilat po përdorin gjuhët e huaja për disa arsye. Një nga arsyet është inferioriteti, në mënyrë që dikush që nuk di gjuhë të huaj ta përdor dhe ta vë në pozita të pa lakmueshme folësin tjetër”, u shpreh Qëndrim Morina, profesor nga Prishtina.
Nga Inspektorati i gjuhës janë ankuar se për shkak të buxhetit të ulët për këtë Institucion, e kanë vështirë të angazhojnë më shumë inspektorë të cilët do të mbikëqyrnin ato Institucione të cilat nuk e zbatojnë ligjin për gjuhët. /Alsat.mk
Burimi: alsat.mk