Shëndetësia e Maqedonisë me mungesa të shumta: Për 10 vjet, minus 1200 mjekë

February 17, 2022
min lexim

Brenda pesë vjetëve, konkretisht nga viti 2017 deri më 2022 – gjithsej 568 mjekë kanë kërkuar nga Oda e Mjekëve të Maqedonisë vërtetim se ndaj tyre nuk zhvillohet asnjë procedurë para Gjykatës së Nderit. Ky vërtetim u nevojitet të gjithë atyre që shkojnë për specializim jashtë vendit, por edhe atyre që largohen përfundimisht nga Maqedonia e Veriut. Nga Oda e Mjekëve informojnë se se nga viti 2012 deri në vitin 2016, me vërtetimet e njëjta janë pajisur më shumë se 600 mjekë. Mungesa e mjekëve specialistë, viteve të fundit, ndihet në shumë qendra spitalore të qyteteve të Maqedonisë së Veriut. Zyrtarisht, Maqedonia ka mbet pa rreth 1200 mjekë të rinj, të cilët tashmë vazhdojnë punë në shëndetësinë evropiane, me theks të veçantë në Gjermani – atje ku kushtet dhe pagat janë shumë larg Maqedonisë së Veriut. Dhe, nga ikja e mjekëve më së shumti po vuajnë pacientët.

“Nga analizat tona del se shkaqet që çojnë në largimin e mjekëve nga Maqedonia, janë të shumta. Fillimisht, si më problematike do të fokusoja mosrespektimin e profesionit mjek. Pagat janë jashtëzakonisht të ulëta krahasuar me vitet e shkollimit dhe mundin që e japin derisa specializohen në një lëmi të caktuar. Njëherësh, në largimin e mjekëve nga vendi ndikojnë dhe trysnitë që bën politika dhe strukturat e ndryshme shtetërore në punën e mjekëve. Të gjitha këto elemente bëjnë që mjekët e rinj të mos ndihen aspak rehat në ushtrimin e profesionit të tyre , të mos shohin perspektivë sa i përket avancimit të tyre në aspektin profesional dhe fatin e tyre ta kërkojnë diku jashtë Maqedonisë”, thonë në Odën e Mjekëve të Maqedonisë.

Largimi i mjekëve nga Maqedonia, shtojnë në Odën e Mjekëve, ka bërë që mosha mesatare e mjekëve në Maqedoninë Perëndimore të jetë 57 vjet, kurse në Maqedoninë Lindore mosha mesatare e mjekëve është 60 vjeç, që del se mjekët janë vetëm dy ose katër vjet para pensionimit.

Së fundmi, një raport i Shoqatës së Mjekëve Privatë tregon se përveçse në Shkup, mungesë të madhe të mjekëve ka edhe qytetet tjera të mëdha të vendit. Në spitalin e Velesit aktualisht ka vetëm një kirurg, ndërsa spitalin e qytetit të Shkupit ka mungesë të anesteziologëve. Në Prilep janë vetëm tre pediatër, madje që të gjithë janë në pension, ndërsa në Gjevgjeli fëmijët i kontrollon një mjek, i cili punon si mjek familjar dhe njëkohësisht edhe në spital. Në Pehçevë ka 1 mjek familjar 62-vjeç. Në Strugë janë disa mjekë të moshës 67 vjeçare, në Dibër janë shtatë mjekë mbi 60 vjeç, ndërsa në Shtip – tre mjekë janë të moshës 62-vjeçare. Në Kërçovë ka vetëm tre mjekë me përvojë të gjatë pune.

Institucionet e shëndetësisë, në anën tjetër, thonë se mbeten maksimalisht të angazhuara në përmirësimin e kushteve për punë.

“Prioritet i punës sime si ministër do të jetë, para së gjithash, preventiva dhe qasja e barabartë në shërbime shëndetësore, si dhe rritja e fuqizimi i kapaciteteve në sistemin shëndetësor dhe udhëheqja e mirë, por edhe koordinimi dhe konsistenca në avancimin dhe zbatimin e politikave të punës së vlefshme. Përveç kësaj, pa asnjë kompromis, do të angazhohem në përmirësimin e statusit dhe kushteve, në të cilat funksionojnë punëtorët shëndetësorë dhe personeli mjekësor”, është zotuar ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, i cili këtë detyrë e mori në fillim të këtij viti, pas ristrukturimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Mjekët pajtohen se janë bërë disa hapa pozitivë në përmirësimin e kushteve për punë dhe shërbimeve mjekësore, por shtojnë se sistemi shëndetësor ende lë shumë për të dëshiruar. Si shumë problematike e fokusojnë dallimin e madh mes institucioneve private që, sipas tyre, kanë kushte shumë më të mira kundrejt institucioneve shtetërore.

Ata ankohen se, megjithëse janë përmirësuar kushtet për specializim, në aspektin se mjekët e rinj marrin të ardhura në nivelin e një page mesatare derisa janë në specializim, por kushtet për punësim, edhe më herët, edhe tani janë të njëjta, pasi kriteri parësor mbetet nepotizmi. Akuzojnë se autoritetet shtetërore po bëjnë zgjidhje të shpejta “sa për të qenë të dukshme kur ato janë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë”, por “pa një strategji afatgjate” që do të sillte rezultate të qëndrueshme në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.

Ndryshe, gjatë dy viteve të fundit, rritja e pagave të mjekëve specialistë është bërë për 40 për qind dhe për 20 për qind janë rritur pagat e motrave medicinale. Për 20 për qind janë rritur dhe pagat e mjekëve nga kuadri mësimdhënës dhe për 15 për qind janë rritur pagat e të gjithë bashkëpunëtoreve në sistemin e shëndetësisë. Megjithatë, mungojnë investimet infrastrukturore në spitale. Puna e parë, thonë mjekët, është përmirësimi i kushteve të punës së mjekëve, pra jo vetëm se duhet rritur pagat, por edhe kushtet duhet të jenë më të volitshme. Gjithashtu, kërkohet përmirësimi dhe procesi i zhvillimit profesional të mjekëve dhe personeli mjekësor me kushte që të paguhet në bazë të punës që e bën.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Nxjerrin “ar” nga plehrat, punonjësit e Incineratorit Elbasan thonë se nuk po paguhen: Vuajmë për bukë

Story i radhës

Skuadra skoceze turpëron Dortmundin në ‘Signal Iduna Park’

Të fundit nga

Të hënën reshje intensive shiu në 5 qarqe

Fillimi i javës do të nisi me reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër. Kështu njofton Instituti i Gjeoshkencës në buletinin e tij. Ndërkohë që reshjet intensive do
ShkoLartë