Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u ka bërë thirrje vendeve anëtare të aleancës që ta furnizojnë Ukrainën me sistemet e mbrojtjes ajrore, pasi sipas Sekretarit ky është investim në sigurinë e NATO-s.
Teksa Stoltenberg u bënte thirrje vendeve anëtare të NATO-s që t’i japin Ukrainës sisteme të mbrojtjes ajrore dhe raketore Patriot, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përsëriti thirrjet pothuajse të përditshme për më shumë pajisje ushtarake nga vendet perëndimore.
“NATO ka vlerësuar aftësitë ekzistuese të aleancës dhe ka sisteme që mund të vihen në dispozicion të Ukrainës”, tha Stoltenberg.
Ndryshe, forcat ajrore ruse janë më të fuqishme se ato të Ukrainës, por sistemet e sofistikuara të raketave perëndimore janë kërcënim i madh për aviacionin rus.
Bëhet e ditur se Kievi po kërkon të paktën shtatë sisteme raketore Patriot, shkruan euronews.
Stoltenberg nuk pranoi të thoshte se cilat vende të NATO-s kanë sisteme të mbrojtjes ajrore e sa mund të jenë në dispozicion të Ukrainës, por ai këmbënguli se vendet anëtare të aleancës ushtarake së shpejti do të njoftojnë për mbështetjen e tyre për tokat ukrainase.
“Aleatët duhet të gërmojnë thellë në inventarët e tyre dhe të përshpejtojnë shpërndarjen e raketave, artilerisë dhe municioneve. Ukraina po i përdor armët që ne i ofrojmë për të shkatërruar aftësitë luftarake ruse. Kjo na bën të gjithëve më të sigurt”, tha Sekretari.
Siç raportohet, Gjermania kishte gjithsej 12 sisteme Patriot, tre prej të cilave po i ndan për Ukrainën. Polonia ka vetëm dy të tilla të cilat i duhen për mbrojtjen e saj. Gjithashtu, edhe Greqia, Holanda, Rumania dhe Spanja posedojnë Patriot.
NATO mban rezervat e armëve të 32 vendeve anëtare të saj për t’u siguruar që ato të përdoren në kohë nevoje.