Grupi i ekstremistëve të djathtë dhe ish-eprorët ushtarakë të cilët kishin planifikuar grusht shteti në Gjermani, ishin furnizuar me armë dhe kishin plane konkrete, ka thënë shefi i inteligjencës gjermane, Thomas Haldenwang, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Grupi në fjalë kishte rrjet të madh në mbarë vendin, kishin plane precize, ishin të gatshëm të përdornin dhunë, madje edhe nëse përfshinte vrasjen e njerëzve”, deklaroi Haldenwang për televizionin publik ZDF të mërkurën në mbrëmje.
Ai tha se grupi ishte nën vëzhgim nga agjencitë e sigurisë gjatë muajve të fundit, kurse autoritetet vendosën të ndërmarrin një operacion antiterrorist pasi u bë e qartë se grupi kishte plane konkrete për të përmbysur qeverinë me mjete të dhunshme.
Policia gjermane arrestoi më shumë se 20 persona të mërkurën në një nga operacionet më të mëdha antiterroriste në historinë e vendit dhe bastisi 150 prona në 11 shtete.
Sipas prokurorëve, grupi terrorist i ekstremit të djathtë kishte plane për të krijuar kaos në të gjithë vendin dhe për të pushtuar parlamentin gjerman me dhunë dhe mjete ushtarake me synimin për të përmbysur sistemin demokratik dhe kushtetues të Gjermanisë.
Shumica e të dyshuarve ishin pasues të lëvizjes së ekstremit të djathtë Reichsburger (Qytetarët e Rajhut), e cila kundërshton legjitimitetin e Republikës Federale të Gjermanisë dhe besojnë se vendi drejtohet nga anëtarët e të ashtuquajturit “shtet i thellë”.
Burimi: GAZETA.MK