Ministri turk i Energjisë, Alparslan Bayraktar dhe zv/kryeministri irakian për Çështjen e Energjisë dhe ministër i Naftës, Hayan Abdul-Ghani, kanë rënë dakord për të bashkëpunuar për rindërtimin e sistemit të tubacionit të naftës Irak-Türkiye në territorin e Irakut, transmeton Anadolu.
Ministri turk dhe homologu i tij irakian u takuan në Ankara për të diskutuar një gamë të gjerë çështjesh dypalëshe dhe rajonale, përfshirë tubacionin e naftës së papërpunuar Irak-Türkiye.
Tubacioni nis nga qytetit Kirkuk në Irak drejt qytetit Ceyhan në Türkiyen jugore, një rajon që është prekur nga dy tërmetet që goditën Türkiyen jugore më 6 shkurt.
Ministrat ranë dakord të kryejnë riparimet dhe mirëmbajtjen e nevojshme, duke theksuar në një deklaratë të përbashkët rëndësinë për të dy vendet me rifillimin e rrjedhës së naftës së papërpunuar përmes tubacionit sa më parë pas ndërmarrjes së inspektimeve të nevojshme.
“Ata gjithashtu shkëmbyen pikëpamje mbi mënyrat se si Türkiye dhe Iraku mund të thellojnë bashkëpunimin energjetik në fushat e naftës, gazit, ndërlidhjeve të energjisë, energjisë së rinovueshme dhe efikasitetit të energjisë”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Të dy ministrat, të cilët janë bashkë-kryetarë të Komisionit të Përbashkët Ekonomik Türkiye-Irak, gjithashtu ranë dakord për mbajtjen e takimit të 19-të të komisionit në Bagdad në datën më të hershme të përshtatshme.