Shefat e diplomacisë së Armenisë, Azerbajxhanit dhe Rusisë diskutojnë për Karabakun

Ministrat e Punëve të Jashtme të Armenisë, Azerbajxhanit dhe Rusisë janë takuar në Moskë për të diskutuar hapat e mëtejshme në lidhje me zgjidhjen e mundshme për rajonin e Karabakut, raporton Anadolu.

Në hapjen e takimit të djeshëm, kryediplomati rus, Sergey Lavrov tha se Moska mbetet në respektimin dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve trepalëshe midis tre vendeve. Ai tha se Rusia është e interesuar për paqen dhe stabilitetin në Kaukazin e Jugut.

“Përpjekjet tona synojnë stabilizimin e situatës në kufirin armeno-azerbajxhanas, duke kërkuar zgjidhje për problemet humanitare, zhbllokimin e transportit dhe lidhjeve ekonomike si dhe për zhvillimin e kontakteve mes njerëzve”, tha Lavrov.

Ministri i Jashtëm i Azerbajxhanit, Jeyhun Bayramov, nga ana e tij, tha se megjithëse procesi i negociatave me Armeninë është mjaft intensiv, rezultatet nuk janë siç priten dhe “ka më shumë bisedime sesa rezultate për zgjidhjen me Armeninë”.

“Megjithatë, do të ishte gabim të thuhet se nuk ka fare rezultate pozitive. Sot do të kemi mundësinë të shkëmbejmë mendime për të gjitha çështjet. Dhe tradicionalisht në këtë format, ne së bashku me palën armene, fokusohemi në pjesën e mbetur të traktatit të paqes”, theksoi Bayramov.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Armenisë, Ararat Mirzoyan tha se për disa çështje ka rezultate konkrete, për disa të tjera “shihen perspektiva” dhe ka gjithashtu çështje ku palët janë “larg nga njëra-tjetra”. Ai theksoi se qëndrimi i delegacionit armen është “konstruktiv”, por krijimi i një pike kufitare të Azerbajxhanit në rrugën Lachin i “ndërlikon” bisedimet.

Pas takimit, Lavrov në një konferencë për media tha se një tjetër samit i liderëve të Armenisë, Azerbajxhanit dhe Rusisë është planifikuar për në fund të këtij viti. Ai tha se pala ruse propozoi nisjen e një dialogu trepalësh në nivel parlamentar.

Shefi i diplomacisë ruse shprehu shpresën se diskutimet e djeshme do të ndihmojnë për t’i dhënë një nxitje pozitive procesit të negociatave në fusha të tjera, duke sugjeruar se rezultati më i afërt në këtë fazë duket se do të jetë një marrëveshje për të zhbllokuar transportin në rajon.

Një nga çështjet “më të ndjeshme” në bisedimet midis Jerevanit dhe Bakut, sipas ministrit Lavrov, ishte garantimi i të drejtave dhe sigurisë së armenëve të Karabakut, në të njëjtën kohë duke siguruar integrimin territorial të Azerbajxhanit.

“Pala armene e kupton nevojën për t’i bindur armenët e Karabakut që të takohen me përfaqësuesit e Azerbajxhanit sa më parë për të rënë dakord për të drejtat (që duhet të sigurohen). Pala azerbajxhanase është e gatshme të japë të njëjtat garanci mbi baza reciproke për personat që jetojnë në territorin e saj”, shtoi Lavrov.

Ai tha se Rusia e kupton interesin e Armenisë dhe Azerbajxhanit për të përdorur edhe ndërmjetësues të tjerë, duke theksuar se Moska mirëpret përpjekjet e palëve që sinqerisht duan të kontribuojnë në zgjidhjen e konfliktit dhe janë kundër përpjekjeve për të imponuar artificialisht marrëveshje që nuk bazohen në interesat e asnjërit shtet.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Karabakun, një territor i njohur në nivel ndërkombëtar si pjesë e Azerbajxhanit.

Në vjeshtën e vitit 2020, Azerbajxhani çliroi disa qytete, fshatra dhe vendbanime nga pushtimi armen gjatë 44 ditëve të përleshjeve. Lufta përfundoi me një marrëveshje të paqes të ndërmjetësuar nga Rusia.

Pavarësisht bisedimeve në vazhdim për një marrëveshje të paqes, tensionet midis vendeve fqinje muajve të fundit u rritën mbi korridorin Lachin, e vetmja rrugë tokësore që i jep Armenisë qasje në Karabak.





Story i mëparshëm

Kanada, dënohet me 8 vjet burg personi që tentoi të sulmojë xhaminë

Story i radhës

Zjarr në Hekal të Mallakastrës, digjen të mbjellat me ullinj, terreni i vështirë pengon ndërhyrjen e zjarrfikësve

Të fundit nga