SHBA, zgjedhjet presidenciale dhe përpjekjet e disa vendeve për të ndërhyrë tek rezultati

min lexim

Në Shtetet e Bashkuara së shpejti do të mbahen zgjedhjet e do të marrë fund një fushatë e karakterizuar nga atentate, përplasje politike dhe ankth. Për kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara, puna për të ndërhyrë mbi demokracinë amerikane mund të jetë duke hyrë në fazën e saj më kritike.

Gjatë muajve të fundit ka patur rritje të vëmendjes ndaj përpjekjeve për përhapjen e dezinformatave për zgjedhjet e 5 nëntorit. Megjithatë, orët dhe ditët menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve mund t’u ofrojnë kundërshtarëve të huaj si Rusia, Irani dhe Kina ose grupeve ekstremiste vendase, mundësinë më të mirë për të ndërhyrë ndërsa pritet për rezultatin e zgjedhjeve.

Kjo është koha kur amerikanët do të hyjnë në internet për të parë rezultatet më të fundit ose për të ndarë mendimet e tyre ndërsa vazhdon numërimi i votave. Gjatë kësaj kohe, një fotografi me përmbajtje të paqartë apo një video e krijuar me inteligjencë artificiale që nxit një dyshim mbi manipulimin e votave mund të shkaktojë dëm të madh. Përpara se autoritetet të kenë kohë ta hetojnë rastin, dikush mund të vendosë të transferojë zemërimin, nga interneti në botën reale.

Ky është një kërcënim që merret seriozisht nga analistët e inteligjencës, zyrtarët e zgjedhur dhe drejtuesit e firmave të teknologjisë, të cilët thonë se derisa ka pasur përpjekje të vazhdueshme të operacioneve të dezinformimit dhe ndikimit, më e keqja mund të mos ketë ndodhur ende.

“Nuk është se në fund të natës së zgjedhjeve, veçanërisht kur rezultati i zgjedhjeve pritet të jetë i ngushtë, këto përpjekje do të përfundojnë,” tha senatori Mark Warner, demokrat nga Virxhinia që kryeson Komisionin e Senatit për Inteligjencën. “Një nga shqetësimet e mia më të mëdha është niveli i dezinformatave që mund të vijnë nga kundërshtarët tanë pas mbylljes së qendrave të votimit, në fakt mund të jenë po aq të rëndësishme sa çdo gjë që ndodh deri në mbylljen e qendrave të votimit.”

Analistët janë më të drejtpërdrejtë duke paralajmëruar se një informacion me ndikim që përhapet në orët e para pas mbylljes së qendrave të votimit mund të ketë pasoja të tmerrshme për besimin e publikut mbi zgjedhjet. Një informacion mund të ketë ndikim të madh sidomos nëse grupi që përhap dezinformata di si të shpërndajë atë tek një shtet fushëbetejë apo bllok votuesish.

Skenarët e mundshëm përfshijnë ripërpunimin e një imazhi të punonjësve të zgjedhjeve i cili kinse tregon një manipulim votash. Një skenar tjetër mund të jetë një video tërësisht e manipuluar e një prej kandidatëve që kinse e pranon se ka mashtruar.

Kur një pretendim i rremë qarkullon për javë të tëra para zgjedhjeve, zyrtarët e zgjedhjeve, zyrtarët e zbatimit të ligjit apo organizatat mediatike kanë ende kohë që të mbledhin fakte, të korrigjojnë informacionet mashtruese dhe të shpërndajnë lajmin e vërtetë. Mirëpo, nëse dikush e shpërndanë një video apo fotografi të rremë e cila ka qëllim të nxisë një pjesë të madhe të elektoratit të ketë dyshime mbi rezultatin, një ditë pas zgjedhjeve, do të jetë e vështirë apo edhe e pamundur që e vërteta të dal me kohë.

Kjo ka ndodhur para katër vjetësh, kur pretendimet e rreme mbi rezultatet e vitit 2020 nxitën sulmin mbi Kapitolin më 6 janar 2021. Shpesh, ata që arrestohen me akuza për ndërhyrje në zgjedhje kanë përmendur teori të hedhura poshtë mbi zgjedhjet të cilat kanë qarkulluar pas ditës së zgjedhjeve.

Zgjedhjet që kanë rezultat të ngushtë ku fituesi shpallet i ndikuar nga gara në pak shtete fushëbetejë e rrit rrezikun e tillë. Kjo e bën më të mundshëm që një thashethem si ai mbi valixhet me fleta të paligjshme votimi në shtetin e Xhorxhias, një nga shembujt e vitit 2020, mund të kenë ndikim të madh lidhur me besimin ndaj rezultatit.

Fitorja e Presidentit Joe Biden ndaj rivalit Donald Trump në vitin 2020 nuk ishte edhe aq e ngusht dhe nuk janë gjetur parregullsi të cilat do të kishin ndikimi në rezultat. Megjithatë, pretendimet fallse mbi manipulimin e votave janë besuar në masë të madhe nga shumë mbështetës të zotit Trump, i cili sërish është kandidati i republikanëve për president.

Periudha e gjatë deri në Ditën e Inaugurimit më 20 janar u jep atyre që duan të nxisin dyshime mbi rezultatet kohë të mjaftueshme për ta bërë këtë.

Shefi i firmës teknologjike Nisos, Ryan LaSalle tha se nuk do të jetë i qetë derisa të bëj betimin një president i ri pa ndonjë problem serioz.

Një tjetër rrezik sipas zyrtarëve dhe firmave të teknologjisë është se Rusia apo ndonjë vend tjetër armik mund të bëjë përpjekje të kryej sulm kibernetik ndaj sistemit zgjedhor të ndonjë shteti, jo me patjetër të ndryshojë rezultatin por si një mënyrë që nxit votuesit të vënë në dyshim sigurinë e sistemit zgjedhor.

“Periudha më e rrezikshme do të jetë ajo e 48 orëve pas mbajtjes së zgjedhjeve”, thotë Presidenti i firmës ‘Microsoft’ Brad Smith para ligjvënësve të Komisionit të Senatit për Inteligjencë, muajin e kaluar.

Dezinformatat mbi zgjedhjet fillimisht u paraqitën si kërcënim në vitin 2016 kur Rusia kreu sulm mbi ekipin e fushatës zgjedhore të kandidates demokrate Hillary Clinton. Kjo çoi deri te krijimi i rrjeteve të shumta me llogari fallso në rrjetet sociale që të rrisin dezinformatat.

Pavarësisht sfidave, zyrtarët e zgjedhjeve sigurojnë amerikanët që sistemi zgjedhor është i papërshkueshëm nga ndonjë sulm i cili ka qëllim të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve. Derisa ka operacione që kanë qëllim të shpërndajnë dezinformata, përmirësimet që janë bërë në sistemin zgjedhor e kanë bërë atë edhe më të fuqishëm se më parë për të përballuar përpjekjet për të ndryshuar rezultatin.

“Individët keqdashës, edhe nëse do të përpiqeshin, nuk mund të kenë një ndikim në rezultatin e zgjedhjeve”, tha për agjencinë e lajmeve ‘Associated Press’ Jen Easterly, drejtore e Agjencisë së Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës në Shtetet e Bashkuara.

Burimi: pcworld.al

Story i mëparshëm

Mercedes më në fund ka gjetur rrugën e tij

Story i radhës

Ministri Ljutkov në hapjen e ekspozitës së Rembrantit në Vjenë

Të fundit nga