SHBA, votuesit myslimanë dhe arabë braktisin demokratët

November 7, 2024
min lexim

Në një ndryshim historik, votuesit myslimanë dhe arabë i dhanë fund besnikërisë 20-vjeçare ndaj Partisë Demokrate, duke ndarë votat mes presidentit të zgjedhur Donald Trump dhe kandidatëve të palëve të treta në zgjedhjet presidenciale amerikane të së martës.

Distancimi, i nxitur nga zemërimi lidhur me trajtimin e luftës në Gazë nga administrata e Presidentit Biden, e ndihmoi republikanin Trump që të fitonte shtetet kyçe fushëbetejë, duke mposhtur Nënpresidenten Kamala Harris në garën për Shtëpinë e Bardhë.

Më pak se gjysma e amerikanëve myslimanë që votuan e mbështetën demokraten Harris, sipas një sondazhi me më shumë se 1000 votues të zhvilluar nga Këshilli për Marrëdhëniet Islame Amerikane (CAIR). Shumica votuan për zotin Trump ose një kandidat të tretë, tha Robert McCaw, drejtor për çështjet qeveritare në organizatën CAIR.

“Kjo është hera e parë në më shumë se 20 vjet që komuniteti mysliman është ndarë midis tre kandidatëve”, tha zoti McCaw në një intervistë për Zërin e Amerikës. Hulumtimet nga sondazhi do të publikohen të enjten.

Zhvendosja e votës myslimane bëri jehonë mes votuesve arabo-amerikanë, të cilët për më shumë se dy dekada kishin mbështetur kandidatët demokratë për president në raportin 2 me 1, tha James Zogby, president i Institutit Arab Amerikan.

“Në këto zgjedhje, çështja e Gazës shkaktoi pakënaqësi të madhe mes grupeve demografike të komuniteteve, gjë që nuk prisja të kishte këtë shkallë ndikimi”, tha zoti Zogby për Zërin e Amerikës. “Ngjarjet e Gazës ndikuan shumë thellë tek ata”.

Sipas vlerësimeve, në Shtetet e Bashkuara jetojnë rreth 3.7 milionë arabo-amerikanë, shumica prej të cilëve janë të besimit të krishterë, dhe pothuajse e njëjta shifër besohet të jetë për amerikanët myslimanë.

Revolta e votuesve ishte më e fortë në bastionet arabe të Miçiganit në Dearborn, Dearborn Heights dhe Hamtramck. Në Dearborn, ku më shumë se 55% e banorëve janë me origjinë nga Lindja e Mesme, republikani Trump fitoi më shumë se 42% të votave, krahasuar me 30% katër vjet më parë. Demokratja Harris mori vetëm 36% nga një komunitet që i dha Presidentit Joe Biden gati 70% të votave.

Në Hamtramck, qyteti i parë me shumicë myslimane në Shtetet e Bashkuara, zoti Trump mori 43% të votave, nga vetëm 13% në vitin 2020. Ndërsa zonja Harris siguroi 46% të votave, krahasuar me 85% që mori zoti Biden katër vjet më parë. Kandidatja e Partisë së Gjelbër, Jill Stein, një kritike e fortë e luftës së Izraelit në Gazë, mori më pak se 20% të votave në të dy qytetet.

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Klan Debat: Levica dhe ZNAM thonë se janë të gatshme për zgjedhje të parakohshme

Story i radhës

Flet shoku i Atillës: Nëse ai do të qëndronte më gjatë do të bëhej Luizi i dytë i Big Brother, në burg nuk ishte për …

Të fundit nga

ShkoLartë