SHBA, thirrje “urgjente” për ndërprerjen e luftimeve mes Izraelit dhe Hezbollahut

Shtetet e Bashkuara të martën bënë thirrje për ndërprerjen e luftimeve ndërkufitare dhe uljen e tensioneve mes Izraelit dhe grupit libanez Hezbollah, ndërsa rritet kërcënimi për një luftë në shkallë të gjerë.

Komentet e të dërguarit të posaçëm amerikan Amos Hochstein në Bejrut u bënë të martën ndërsa sulmet vazhduan të përshkallëzoheshin në të dy anët e kufirit.

Izraeli dhe Hezbollahu filluan shkëmbimet me armë më 8 tetor, një ditë pas sulmit vdekjeprurës të Hamasit në Izraelin jugor.

Sulmet e fundit, duke përfshirë sulmin e Hezbollahut me dron të martën ndaj një tanku izraelit, pasuan një sulm izraelit në Libanin jugor, në të cilin u vra një komandant i lartë i Hezbollahut javën e kaluar.

Hezbollahu i mbështetur nga Irani, i cili ishte aleat me grupin militant palestinez Hamas, ka thënë se do të ndalonte sulmet vetëm pas arritjes së një armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, ka thënë se ai shpreson për një fund të konfliktit me Izraelin, por është i përgatitur të vazhdojë sulmet nëse kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu “këmbëngul” për vazhdimin e luftës.

Ne shpresojmë se lufta do të ndalet shumë shpejt, por nëse Netanyahu këmbëngul për luftë, ai do ta çojë entitetin zionist në katastrofë dhe do ta çojë frontin kundërshtar drejt një fitoreje historike të madhe dhe krenare”, tha ai.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari tha se Hezbollahu po e vë në rrezik Libanin me përpjekjet e tij për të qenë “mburojë për Hamasin”.

“Agresioni në rritje i Hezbollahut po na çon në prag të asaj që mund të jetë një përshkallëzim më i gjerë, që mund të ketë pasoja shkatërruese për Libanin dhe të gjithë rajonin”, tha zëdhënësi Hagari.

I dërguari i posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, Amos Hochstein i bëri thirrje Hamasit që të pranonte një marrëveshje armëpushimi të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ajo do të ndihmonte edhe në uljen e tensioneve në konfliktin përgjatë kufirit jugor të Libanit.

Zoti Hochstein tha se një armëpushim ose një zgjidhje diplomatike për të ndalur konfliktin Izrael-Hezbollah është “urgjente”.

Sipas mediave, rreth 473 individë në Liban, duke përfshirë 94 civilë, janë vrarë që nga 8 tetori i vitit të kaluar. Zyrtarët izraelitë kanë raportuar të paktën 26 vdekje në Izrael për shkak të konfliktit, 11 prej të cilëve thuhet se janë civilë.

Një pjesë e të dhënave për këtë lajm janë marrë nga agjencitë e lajmeve Reuters dhe Agence France-Presse./VOA

Burimi: botasot.info

Story i mëparshëm

Zajmina vendos shamin në kokë derisa pozon me bikini

Story i radhës

LIVE: Rusia pritet të ketë sanksione nga vendet e BE-së/ Ukraina merr mbështetje nga SHBA!

Të fundit nga