SHBA thërret ambasadorin e Izraelit

SHBA-ja thirri ambasadorin e Izraelit në Departamentin e Shtetit pasi Parlamenti izraelit miratoi ligjin që do të rihapte 4 vendbanimet ilegale hebreje në Bregun Perëndimor të pushtuar, të cilat u evakuuan në vitin 2005, transmeton Anadolu.

E përditshmja “The Times of Israel” raporton se zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel njoftoi se zëvendës sekretarja e Shtetit të SHBA-së, Wendy Sherman i përcolli ambasadorit izraelit, Mike Herzog “shqetësimet” për ligjin e sapomiratuar në Parlamentin izraelit.

Sherman i tha ambasadorit Herzog se para festës së ardhshme të Pesakh-ut (festë hebraike), Pashkëve dhe Fitër Bajramit, palët duhet të përmbahen nga veprimet dhe retorika që do të rrisin tensionet në rajon.

Patel i kërkoi Izraelit të përmbahet nga lejimi i kthimit të kolonëve “në përputhje me angazhimin e tij ndaj SHBA-së” në vitin 2005.

Ai tha se fjalët e ministrit izraelit të Financave, Bezalel Smotrich që “injoronin popullin palestinez” dhe përdorimi i “hartës së Izraelit” që përfshin Jordaninë ishin “fyese, alarmante dhe të rrezikshme”.

Duke thënë se populli palestinez ka një histori dhe kulturë të pasur, Patel tha se SHBA-ja i kushton rëndësi partneritetit me palestinezët.

Ministri izraelit i Financave nga ekstremi i djathtë, Smotrich, në fjalimin e tij në ceremoninë përkujtimore të ish-kryetarit të Partisë Likud, Zhak Kupfer gjatë vizitës së tij në Paris më 19 mars, deklaroi: “Nuk ekziston Palestina dhe Shtëpia e Bardhë duhet ta dëgjojë këtë”.

Gjithashtu Smotrich në fjalimin e tij përdori “hartën e Izraelit”, e cila përfshinte Jordaninë.





Story i mëparshëm

Si të pastroni njollat e ndryshme me disa përbërës të thjeshtë

Story i radhës

Kryeministrja e Italisë mbështet rritjen e shpenzimeve ushtarake

Të fundit nga