SHBA: Rusia po krijon listë të ukrainasve që do t’i vrasë nëse e pushton Ukrainën

Shtetet e Bashkuara u kanë thënë Kombeve të Bashkuara se kanë “informacione të besueshme” për planet që Rusia të shënjestrojë ukrainasit për t’i vrarë apo për t’i dërguar në kampe, nëse vendos që ta pushtojë vendin.

Bathsheba Nell Crocker, ambasadore e SHBA-së në OKB, përmes një letre dërguar komisionarit për të drejta të njeriut të këtij institucioni, tregoi detaje të “informacionit shqetësues” që inteligjenca amerikane kishte mbledhur.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar lidhur me shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut nga Rusia në pjesët tashmë të okupuara të Ukrainës, dhe kemi arsye të besojmë se këto shqetësime do të shumëfishohen në rast të një ofensive të re ushtarake”, shkroi ajo në këtë letër.

Crocker tha po ashtu se Kremlini po planifikonte vrasjen, rrëmbimin, ndalimin dhe torturimin e të gjithë atyre që kundërshtojnë veprimet ruse në Ukrainë.

Në shënjestër, sipas letrës, do të ishin edhe disidentët rusë dhe bjellorusë që ndodhen në ekzil në Ukrainë, gazetarët dhe aktivistët e tjerë.

“Posaçërisht, ne kemi informacione të besueshme që tregojnë se forcat ruse po krijojnë një listë të ukrainasve për t’i vrarë ose për t’i dërguar në kampe pas pushtimit ushtarak”, u tha në letrën që Crocker i dërgoi OKB-së.

Crocker tha se Shtetet e Bashkuara kanë informacione se ushtria ruse do të përdorte metoda vdekjeprurëse për të shtypur protestat ose për të shtypur “ushtrimet paqësore të rezistencës nga popullsia civile”.

Në letrën e SHBA-së nuk u tregua se cilat ishin burimet e këtyre informacioneve.

SHBA-ja dhe zyrtarët e tjerë perëndimorë kanë akuzuar Rusinë se po planifikon që ta pushtojë Ukrainën. Moska mohon se ka plane të tilla, pavarësisht se ka grumbulluar mbi 150,000 trupa pranë kufijve ukrainas.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Kutirova ri-zgjedhet drejtoreshë në Drejtorinë Doganore

Story i radhës

Mos përdorni kurrë sapun duarsh në fytyrë, ja problemet që shkakton në lëkurë

Të fundit nga