SHBA, Rusia dhe Kina marrin pjesë në Samitin e Azisë Lindore

min lexim

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken iu bashkua ministrave të Jashtëm të Rusisë dhe Kinës në një takim të premten me diplomatë të lartë nga Azia Juglindore, në një kohë kur fuqitë globale janë të përçara nga tensionet.

Samiti i Azisë Lindore, i takimeve të vazhdueshme të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore në kryeqytetin e Kamboxhias, është forumi ku për herë të parë tre liderët marin pjesë.

Shoqatën e Kombeve të Azisë Lindore e përbëjnë: Indonezia, Malajzia, Filipinet, Singapori, Tajlanda, Brunei, Birmania, Kamboxhia, Laosi dhe Vietnami.

Samiti i Azisë Lindore përfshin liderët e këtyre dhjetë vendeve, si dhe të Australisë, Indisë, Kinës, Zelandës së Re, Koresë së Jugut, Rusisë, Japonisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ky takim vjen vetëm një ditë pasi një gjykatë ruse dënoi me nëntë vjet burg basketbollisten amerikane, Brittney Griner, nën akuzat për kontrabandë droge, në një çështje të ngarkuar politikisht mes antagonizmave mbi pushtimin rus të Ukrainës.

Kina, ndërkohë, ka shfaqur zemërim për vizitën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi këtë javë në Tajvan – një ishull vetëqeverisës që Pekini e pretendon si të tijin – dhe si kundërpërgjigje nisi stërvitjet ushtarake për demonstrimin e forcës.

Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi përshëndeti ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov në sallën e takimit.

Blinken, i cili hyri i fundit në takim nuk u përshëndet me Lavrovin, teksa zuri vendin e tij disa karrige më larg, ose nga Wang i cili ishte ulur edh=e më larg në të njëjtën tavolinë si Lavrov.

Departamenti i Shtetit i SHBA-së tha se Blinken nuk kishte në plan të takohej kokë më kokë me asnjërin prej tyre gjatë rrjedhës së takimeve.

Të enjten, Kina anuloi një takim të ministrave të jashtëm me Japoninë për të protestuar ndaj një deklarate të Grupit të shtatë vendeve që thoshte se nuk kishte asnjë justifikim për stërvitjet ushtarake të Pekinit, të cilat praktikisht rrethojnë Tajvanin

“Japonia, së bashku me anëtarët e tjerë të G7 dhe BE-së, bënë një deklaratë të papërgjegjshme duke akuzuar Kinën dhe duke ngatërruar të drejtën me të gabuarën”, tha në Pekin zëdhënësja e ministrisë së Jashtme kineze, Hua Chunying.

Kur ministri i Jashtëm i Japonisë, Hayashi Yoshimasa filloi të fliste të premten në Samitin e Azisë Lindore, Lavrov dhe Wang u larguan nga dhoma, sipas një diplomati në dhomë, i cili foli në kushte anonimiteti.

Kryesuesi i Samitit të Azisë Lindore, ministri i Jashtëm kamboxhian, Prak Sokhonn, hapi bisedimet duke thënë se shpresonte që të gjithë delegatët ta përdornin forumin si një “mjet angazhimi dhe komunikimi” me njëri-tjetrin.

“Çdo vit ne kemi grupin tonë të sfidave për të adresuar, por më duhet të them se kurrë më parë, jo si këtë vit, nuk jemi përballur me kaq shumë rreziqe në të njëjtën kohë”, tha ai para mediave, para se të niste takimi me dyer të mbyllura.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

​Marilyn Monroe, 60 vite nga misteri i vdekjes së yllit amerikan

Story i radhës

Instagram zgjeron NFT-të në platformë në 100 shtete

Të fundit nga