SHBA rrëzon një tjetër objekt të paidentifikuar pa pilot që fluturonte mbi Michigan

Ushtria amerikane rrëzoi një objekt të paidentifikuar pa pilot që fluturonte mbi rajonin e “Great Lakes” në shtetin e Michiganit të dielën, raporton Anadolu.

“Një avion F-16 gjuajti një raketë AIM9x për të rrëzuar një objekt ajror që fluturonte në rreth 20 mijë metra lartësi në hapësirën ajrore të SHBA-së mbi liqenin Huron në shtetin e Michiganit”, thuhet në deklaratën e Pentagonit.

Deklarata shton se Komanda Veriore e Mbrojtjes Ajrore të Amerikës (NORAD) zbuloi objektin të dielën në mëngjes dhe e mbajti në vëzhgim vizual dhe përmes radarit.

“Bazuar në rrugën e tij të fluturimit dhe të dhënat, ne mund ta lidhim në mënyrë të arsyeshme këtë objekt me sinjalin e radarit të marrë mbi Montana, i cili fluturoi në afërsi të vendeve të ndjeshme të Departamentit të Mbrojtjes”, thuhet në deklaratë.

Pentagoni “nuk e vlerësoi atë si një kërcënim ushtarak kinetik për çfarëdo qoftë gjë në tokë, por vlerësoi se ishte një rrezik fluturimi i sigurisë dhe kërcënim për shkak të aftësive të tij të mundshme mbikëqyrëse”.

Më tej thuhet se një ekip po bën përpjekje për rikuperimin e objektit “për të mësuar më shumë rreth saj”.

“Ushtria amerikane ka çaktivizuar një tjetër ‘objekt’ mbi liqenin Huron”, shkroi më herët në Twitter, përfaqësuesi i Michiganit, Jack Bergman.

Gjenerallejtënanti në pension tha se kishte qenë në kontakt me Departamentin e Mbrojtjes “në lidhje me operacionet në rajonin e “Great Lakes” sot”.

Të shtunën, kryeministri kanadez Justin Trudeau urdhëroi avionët luftarakë të rrëzojnë një objekt të paidentifikuar që ndodhej në hapësirën ajrore të vendit të tij.

Incidenti i fundit shënon rastin e katërt të rrëzimit të objekteve të paidentifikuara mbi hapësirën ajrore të Amerikës së Veriut në tetë ditët e fundit.

Një javë më parë, SHBA-ja rrëzoi një balonë që supozohej se ishte spiun kinez dhe pas kësaj, presidenti i SHBA-së, Joe Biden sanksionoi gjashtë entitete kineze që janë pjesë e industrisë së hapësirës ajrore të Pekinit.

SHBA-ja të premten rrëzoi një tjetër objekt në brigjet e shtetit të Alaskës. Sipas raportimeve, objekti ishte me madhësi të një automjeti të vogël, duke mos zbuluar detaje të tjera.





Story i mëparshëm

Türkiye, shpëtohet një 7-vjeçar nga rrënojat 163 orë pas tërmetit

Story i radhës

Sahatçiu prezanton çmimoren e re: Me 80 cent në ditë, udhëto pa limit

Të fundit nga