Pentagoni njoftoi sot se SHBA-ja ka rifilluar patrullimet e përbashkëta me YPG/PKK-në, të cilat i reduktoi më herët pas sulmeve ajrore të Türkiye-s kundër grupit terrorist, raporton Anadolu Agency (AA).
“Operacionet partnere me Forcat Demokratike Siriane kanë rifilluar. Ato rifilluan plotësisht më 9 dhjetor. Sërish fokusi ynë është të punojmë me partnerët lokalë për të parandaluar ringritjen e DEASH-it”, deklaroi para gazetarëve në konferencën e përditshme gjeneral brigade, Patrick Ryder, zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes.
Ai i referohej SDF-së, partnerit kryesor të SHBA-së në Siri, të udhëhequr nga YPG.
YPG është dega siriane e PKK-së, e cila është e shpallur si grup terrorist në SHBA, BE dhe Türkiye.
SHBA-ja ka lidhur partneritet me SDF-në e udhëhequr nga YPG në përpjekjet e saj për të kundërshtuar DEASH-in në verilindje të Sirisë, duke shkaktuar zemërimin e Ankarasë, e cila ka çuar në tendosje të madhe në marrëdhëniet dypalëshe.
Pas sulmit terrorist të YPG/PKK muajin e kaluar në rrugën e frekuentuar “Istiklal” të Istanbulit, në të cilin humbën jetën 6 civilë, ushtria turke kreu operacion ajror kundër disa objektivave terroriste në Siri dhe Irak. Pasi Türkiye nisi operacionin “Kthetra-Shpata”, SHBA-ja dhe YPG/PKK-ja reduktuan patrullimet e tyre të përbashkëta në rajon.