Dy kandidatët kryesorë për president të Shteteve të Bashkuara vazhduan fushatën këtë javë. Presidenti Joe Biden vizitoi një qytet amerikan që po përballet me një shkallë të lartë krimi ndërsa ish-Presidenti Trump bëri fushatë në lagjen Harlem në qytetin e Nju Jorkut. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carolyn Pressuti, i hedh një vështrim qëndrimit të dy kandidatëve lidhur me rregullat për mbajtjen e armëve.
Një milion tifozë u mblodhën në qytetin e Kansasit të shtetit Mizuri për të festuar fitoren e superbollit. Gëzimi u kthye në frikë ndërsa tre burra hapën zjarr me armë të rënda. Një grua u vra dhe disa të tjerë u plagosën. Policia tha se rreth 12 vetë kishin nxjerrë armët.
Sipas Arkivit për Dhunën me Armë, 4800 njerëz kanë vdekur këtë vit nga dhuna me armë. Rreth 250 ishin adoleshentë.
Tre vjet më parë qyteti i Filadelfias shënoi një shifër rekord, me më shumë se 560 vrasje. Presidenti Biden zhvilloi fushatë në këtë qytet këtë javë, duke përmendur numrin e krimeve ndaj fëmijëve.
“Vetë ideja që në shkollat amerikane mësohet se si të fshihesh në rast sulmesh me armë, të bën të mendosh. Më shumë fëmijë të vrarë nga dhuna me armë se pothuajse çdo gjë tjetër”.
Një rregull i administratës së Presidentit Biden do të thellojë kontrollet për të gjitha shitjet e armëve që sjellin fitime. Gjatë fjalimin mbi gjendjen e vendit, Presidenti Biden paralajmëroi hezitimin e Kongresit.
“Kërkoj me ngulm ndalimin e shitjes së armëve sulmuese dhe karikatorëve me kapacitet të lartë”.
Gjatë presidencës së tij, zoti Donald Trump nisi Operacionin Legjenda për të frenuar krimin, që çoi në reforma në polici dhe 5500 arrestime. Ai gjithashtu ofroi pajisje ushtarake të tepërta për policinë dhe nënshkroi ligje të drejtësisë penale për të parandaluar përsëritjen e krimeve.
“Pra, nëse ndodh diçka dhe ata bëjnë një gabim, t’u jepet një shans i dytë në jetë”, tha zoti Trump në nëntor të vitit 2018.
Gjatë fushatës për zgjedhjet e nëntorit, zoti Trump e lidh krimin me emigracionin e paligjshëm.
“Krimi i emigranteve duhet të quhet krim i emigrantëve të Biden-it. Gjithmonë do ta mbani mend se ishte Biden-i që na e solli atë”, tha zoti Trump.
Këtë javë ai vizitoi një dyqan në lagjen e Harlemit në Nju Jork.
“E dua këtë qytet. Gjatë 3-4 viteve të fundit gjendja është përkeqësuar, por ne do ta rregullojmë Nju Jorkun. Me kandidimin për president, ne po i japim një shtytje të madhe Nju Jorkut”, tha republikani Donald Trump.
Një sondazh i vitit të kaluar nga organizata Pew Research gjeti se 1 në 3 amerikanë zotëron armë, ndërsa pak më shumë se gjysma e të anketuarve duan ligje më të rrepta për armët. Por me një Kongres të ndarë, kjo nuk ka gjasa të ndodhë.