SHBA, përgatitje për “veprime të shumëfishta” kundër grupeve që mbështeten nga Irani

January 31, 2024
min lexim

SHBA, përgatitje për “veprime të shumëfishta” kundër grupeve që mbështeten nga Irani


Ndërsa Shtetet e Bashkuara po përgatiten për “veprime të shumëfishta” në përgjigje të një sulmi me dron nga militantët e mbështetur nga Irani, që shkaktoi vrasjen e tre ushtarëve amerikanë, “Kataib Hezbollah”, një nga grupet më të fuqishme në Irak, që mbështetet nga Irani, njoftoi se po pezullonte të gjitha operacionet e tij ushtarake kundër forcave amerikane në rajon.

Presidenti amerikan Joe Biden tha të martën se ai ka vendosur se si do t’i kundërpërgjigjet administrata e tij sulmit me dron nga militantët e mbështetur nga Irani në një bazë amerikane në Jordani, në të cilin u vranë tre ushtarë amerikanë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë të dielën.

“Po”, tha Presidenti Biden para gazetarëve ndërsa po largohej nga Shtëpia e Bardhë të martën për një udhëtim drejt Floridës për mbledhje fondesh në Florida. Sulmi i së dielës ishte i pari që shkaktoi viktima në mesin e ushtarëve amerikan në Lindjen e Mesme që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas në Rripin e Gazës më 7 tetor.

Grupi Rezistenca Islamike në Irak, që mbështetet nga Teherani, ka marrë përgjegjësinë për sulmin në bazën pranë kufirit të Jordanisë me Irakun dhe Sirinë. Pentagoni tha se sulmi ka “gjurmët” e militantëve irakianë të grupit “Kataib Hezbollah”, mbështetur nga Irani.

Grupi “Kataib Hezbollah” të martën njoftoi pezullimin e operacioneve ushtarake kundër trupave amerikane në rajon.

I pyetur nëse ky reagim i ardhshëm amerikan me të vërtetë do ta frenonte Iranin, zoti Biden tha: “Do të shohim”. Grupet e mbështetura nga Irani kanë kryer më shumë se 160 sulme ndaj objekteve ushtarake amerikane në rajon, pavarësisht sulmeve hakmarrëse nga Uashingtoni. Rebelët e grupit Houthi, një tjetër organizatë e mbështetur nga Teherani, kanë vazhduar gjithashtu sulmet e tyre me raketa dhe dronë kundër anijeve tregtare në Detin e Kuq, pavarësisht nga sulmet e shumta ajrore të Shteteve të Bashkuara ndaj sistemeve të tyre të lëshimit të raketave në Jemen.

Presidenti Biden nënvizoi atë që ai dhe zyrtarët e tij kanë thënë vazhdimisht, se Uashingtoni nuk dëshiron një zgjerim të konfliktit.

“Unë nuk mendoj se ne kemi nevojë për një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme. Kjo nuk është ajo që unë po kërkoj”, tha ai.

Është e vështirë të gjendet një reagim ushtarak, që do të frenonte sulmet e mëtejshme të grupeve të mbështetura nga Irani dhe njëkohësisht do të shmangte mundësinë e përhapjes së luftës në rajonin e Lindjes së Mesme. Duke folur me gazetarët në bordin e avionit presidencial “Air Force One”, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby tha se parimi udhëzues është degradimi i aftësive të grupeve për të sulmuar trupat dhe objektet amerikane dhe dërgimi një “sinjali të fortë për mbështetësit e tyre” në Gardën Revolucionare Islamike të Iranit.

“Presidenti do të bëjë atë që është e nevojshme për të mbrojtur trupat tona, objektet tona dhe sigurinë tonë kombëtare … interesat tona në rajon”, tha ai, duke shtuar se urdhri i Presidentit Biden do të jetë një “qasje me nivele të ndryshme” që mund të përfshijë “veprime të shumta”./VOA

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Meti: Në Suedi e parkova veturën si në Kosovë, porsa dola nga marketi mora 80 euro dënim

Story i radhës

SHBA godet platformat kibernetike të Shtetit Islamik

Të fundit nga

Përshtypjet e para, rëndësia në çift

E dimë që përshtypjet e para mund të na mashtrojnë, por a është kështu gjithmonë? Sa mund të mbështetemi në intuitën tonë apo duhet ta njohim plotësisht një person përpara se të

Përse macet flenë dy të tretat e jetës?

Jeta e maceve shtëpiake përbëhet nga katër aktivitete – loja, gjuetia, ngrënia dhe gjumi. Pasi kanë prejardhjen nga macet e egra, kjo në ambient të hapur ka plotësisht kuptim, sepse janë grabitqare
ShkoLartë